Telegrafi

KGjK reagon ndaj deklaratave të deputetëve për dënimin e 18 vjeçarit, thotë se është ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

Foto: Arkiv

Këshilli Gjyqësor i Kosovës shprehet i shqetësuar lidhur me deklaratat e deputetëve pas reagimit të tyre për dënimin prej 7 vjet burgim për 18 vjeçarin e komunitetit rom.

KGJK thekson se deklarata të tilla paraqesin ndërhyrje direkte në sistemin gjyqësor, por edhe mosbesim në institucionet kushtetuese të vendit.

Lexo po ashtu 7 vjet burg për 430 euro, Koci thotë se kjo është grabitje me armë jo vetëm vjedhje

“Lusim të gjithë akterët politik që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e tilla tendencioze, dhe t’i lënë gjyqtarët të qetë në punën e tyre… Sa për informimin e drejtë të publikut, ky nuk është aktgjykimi i parë që për veprën penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 është shqiptuar dënimi me burg prej 7 vjet, e që është minimumi i  dënimit të paraparë me ligj”, thuhet në njoftim.

Lexo po ashtu Vodhi 450 euro, dënohet me 7 vite burg - reagojnë deputetët

Këshilli Gjyqësor i Kosovës qëndron fuqishëm pranë gjyqtarëve, duke i mbështetur në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe duke i inkurajuar për përmbushjen e mandatit të tyre.

“Sistemi Gjyqësor i Kosovës garanton gjykime të drejta, të paanshme dhe profesionale, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë se tyre etnike, racore, a fetare dhe bindjeve politike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/