Këshilli Gjyqësor i Kosovës shprehet i shqetësuar lidhur me deklaratat e deputetëve pas reagimit të tyre për dënimin prej 7 vjet burgim për 18 vjeçarin e komunitetit rom.
KGJK thekson se deklarata të tilla paraqesin ndërhyrje direkte në sistemin gjyqësor, por edhe mosbesim në institucionet kushtetuese të vendit.
“Lusim të gjithë akterët politik që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e tilla tendencioze, dhe t’i lënë gjyqtarët të qetë në punën e tyre… Sa për informimin e drejtë të publikut, ky nuk është aktgjykimi i parë që për veprën penale të grabitjes nga neni 329 par.3 lidhur me par.1 është shqiptuar dënimi me burg prej 7 vjet, e që është minimumi i dënimit të paraparë me ligj”, thuhet në njoftim.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës qëndron fuqishëm pranë gjyqtarëve, duke i mbështetur në ushtrimin e funksioneve të tyre dhe duke i inkurajuar për përmbushjen e mandatit të tyre.
“Sistemi Gjyqësor i Kosovës garanton gjykime të drejta, të paanshme dhe profesionale, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht përkatësisë se tyre etnike, racore, a fetare dhe bindjeve politike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/