Telegrafi

KGJK propozon Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme

Me 7 vota për, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka propozuar Enver Pecin për kryetar të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.

Kurse, Vakdete Daka ka marr 3 vota, Erdogan Haxhibeqiri 1 votë, ndërsa Nesrin Lushta nuk ka marrë asnjë votë.Këtë vendim KGJK e mori gjatë takimit të 187-të të mbajtur të mërkurën, ku si pikë e rendit të ditës ishte edhe përzgjedhja e kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës Së Kosovës.

Ky propozim i KGJK-së do t’i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të nxjerrë dekret për emërimin e Enver Pecit si kryetar të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, shkruan Betimi për Drejtësi.

Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës dekreton Enver Pecin si kryetar të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, i njëjti do ta ushtrojë këtë detyrë me mandat 7 vjeçar, pa mundësi riemërimi.

KGJK të mërkurën ka mbajtur për herë të dytë procesin e votimit për Kryetar të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për arsye se Gjykata Kushtetuese kishte anuluar vendimin e datës 6 mars 2017, sipas të cilit vendim për Kryetar të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ishte propozuar Enver Peci.

“Betimi për Drejtësi” sot ka raportuar rreth historikut të procesit të propozimit të kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.