Site icon Telegrafi

KGJK, partive politike: Përmbahuni nga deklaratat për vendimet gjyqësore

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), kërkon nga subjektet politike që të përmbahen nga deklaratat lidhur me vendimet gjyqësore.

KGJK vlerëson se deklaratat e tilla dëmtojnë drejtpërdrejtë pavarësinë e gjyqësorit, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Vendimet e gjykatës janë vendime të bazuara në ligj, andaj kushdo që kërkon ndërhyrje në këto vendime bënë ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe cenon punën e pavarur të gjyqësorit. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, është duke bërë të pamundurën që të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, kështu që një veprim i tillë është pengesë në realizimin e këtij qëllimi. I sqarojmë opinionit publik dhe pikërisht për rastin në fjalë se, cilado nga palët, që është e  pakënaqur me vendim gjyqësor, mund ta atakoj atë në rrugë institucionale dhe ligjore, përmes ankesës, si mjet i rregullt juridik, dhe mjeteve tjera të jashtëzakonshme, të parapara me ligj”, thuhet në reagim.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, bazuar në Kushtetutë i siguron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do t’i trajtojë të barabartë, pavarësisht përkatësisë etnike, racore,  kombëtare, fetare, partiake, apo pozite në shoqëri dhe se do të vazhdojë të angazhohet për një gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version