Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se është i shqetësuar me deklaratat e zyrtarëve shtetërorë sa i përket rasteve që janë në procedurë pranë gjykatave të Kosovës.
Ky reagim vjen një ditë pasi kryeministri Ramush Haradinaj shfajësoi të akuzuarin për krim të organizuar, Azem Syla. Haradinaj kishte thënë se gjyqësori ka më shumë faj se Syla, i cili akuzohet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal.
KGJK ka deklaruar se nuk mund të komentojë rreth rasteve në zhvillim dhe ka shtuar se deklaratat e tilla cenojnë seriozisht pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“KGJK rithekson se gjykatat në Kosovë i shqyrtojnë rastet në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me ligjin në fuqi, dhe assesi nuk do të ndikohen nga deklaratat e tilla”, thuhet në reagimin e KGJK-së. /Telegrafi/