Deri më 27 shtator 2023, Grupi i Përbashkët i Mbështetjes Logjistike të KFOR-it (JLSG) do të zhvillojë stërvitjen “ROBUST RAM” në lokacionet në pjesën verilindore të Kosovës për të testuar gatishmërinë operacionale në mbështetje të popullatës lokale.
Sipas njoftimit të KFOR-it, trajnimi është pjesë e një kornize më të gjerë të aktiviteteve të cilat kryhen për të ruajtur aftësitë operacionale të njësive kyçe taktike dhe mbështetëse të dislokuara në kuadër të misionit të KFOR-it.
Gjatë aktivitetit, asetet CRC (Crowd and Riot Control), si dhe mjetet FOM-D (Freedom of Movement Detachment) do të vendosen për të larguar postblloqe në afërsi të zonës së trajnimit “HARILAQ” dhe kampit Novo Selo.
Ambulanca, mjete zbulimi dhe mjete ajrore të KFOR-it gjithashtu do të përdoren gjatë gjithë stërvitjes.
KFOR-i thotë se kryen ushtrime rutinore për qëllime trajnimi për të ofruar një përgjigje në kohë dhe të sigurt sa herë që kërkohet.
“KFOR-i kërkon të sigurojë ndikim minimal në popullatën civile gjatë gjithë këtij aktiviteti”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Telegrafi/