Ferizaj përgjatë tri ditëve ishte qendër në të cilën është zbatuar operacioni i simuluar i titulluar “Shpata e Argjendtë”.
Ky operacion është organizuar nga KFOR-i, në të cilën zbarkuan delegacione të ndryshme institucionale, njësi shumëkombëshe të KFOR-it, drejtues e pjesëtarë ushtarakë vendorë e ndërkombëtarë, Policia e Kosovës, FSK, staf i emergjencave civile, me qëllim testimin e njohurive dhe rritjen e përgatitjeve në rast të fatkeqësive natyrore.
Ky operacion i këtij lloji është zbatuar për herë të parë në komunën e Ferizajt.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka falënderuar ushtarët e KFOR-it, komandën e KFOR-it, por edhe Brigadën Shumëkombëshe të Lindjes për përzgjedhjen e bërë që Ferizaj ta ketë privilegjin që gjatë këtyre ditëve të bëjë këtë ushtrim, apo këtë simulim të këtij ushtrimi “Shpata e Argjendtë ”.
“Me vjen mirë që sot kemi rastin që para qytetarëve të bëjmë publike gjithë këtë prezencë të gjithë kësaj makinerie në sheshin e qytetit, sigurisht që edhe ata kanë pyetur se çka është duke ndodhur, ndërsa ajo se çka ka ndodhur është se ne kemi bërë një ushtrim të përbashkët, me këto komponentë të sigurisë në mënyrë që Komuna e Ferizajt të jetë e gatshme të përballet me sfida që mund të na paraqiten me raste të emergjencave të ndryshme”, ka deklaruar kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Gjatë këtij operacioni kanë qenë të përfshirë mbi 200 zyrtarë të Komunës së Ferizajt, 120 policë të Rajonit të Ferizajt, 3 ekipe të FSK-së, si dhe ushtarakët e KFOR-it./Telegrafi/