Telegrafi

KFOR-i refuzon kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur për letrën që i ka dërguar KFOR-i, duke thënë se ua ka refuzuar kërkesën për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Vuçiq për “TV Pink” ka thënë se KFOR-i në letrën e hartuar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e ka pranuar edhe ai, është përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e Forcave të Armatosura Serbe në territorin e Republikës së Kosovës.

“Në letrën e tyre të përpiluar me kujdes drejtuar Qeverisë së Serbisë, të cilën e kam marrë edhe unë, ata janë përgjigjur se besojnë se nuk ka nevojë për kthimin e ushtrisë serbe në territorin e Republikës së Kosovës, duke iu referuar Rezolutës 1244. Por ata nuk iu referuan një pjese të Rezolutës, pasi nuk kanë të drejtë ta refuzojnë atë kërkesë. Ata u thirrën në normën normative për të ruajtur rendin dhe ligjin”, tha Vuçiq.

Presidenti serb, u shpreh se letrën KFOR-i u ka dorëzuar në prag të Krishtlindjes.

Ndryshe një ditë më parë, KFOR në një deklaratë për Telegrafin ka konfirmuar se i kanë kthyer përgjigje Serbisë, por nuk kanë dhënë detaje tjera.

“Mund të konfirmojmë se përgjigja e KFOR-it ndaj kërkesës serbe është përcjellë, por nuk hyjmë në detajet e korrespondencës së NATO-s. KFOR-i mbetet vigjilent dhe plotësisht i aftë për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së”, janë shprehur nga KFOR-i.

Ndryshe, më 16 dhjetor Serbia ia kishte dorëzuar një kërkesë KFOR-it për kthim të 1000 ushtarëve. /Telegrafi/