Site icon Telegrafi

​KFOR-i ndihmon komunitetet në Kosovë

Personeli i Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it, të udhëhequr nga SHBA, ndihmoi Kryqin e Kuq të Kosovës me një shpërndarje të miellit dhe materialeve dezinfektuese për komunitetet lokale.

Gjithsej tetë ton miell dhe alkool dezinfektues u shpërndanë në një shkollë fillore në Suhadoll-Suvi Do, një klinikë mjekësore në Uglar-Ugljare dhe një hapësirë të Kryqit të Kuq në Graçanicë-Gracanice.

“Kërkesa u pranua nga Ekipi Grek Ndërlidhës dhe Monitorues, i cili veproi shpejt për të koordinuar shpërndarjen. Komanda Rajonale Lindje e KFOR-it bashkoi përpjekjet e Batalionit të Manovrës dhe Ekipet e Monitorimit dhe Ndërlidhjes – përfshirë atë Slloven – për të përmbushur kërkesën nga Kryqi i Kuq. Ekipet e Monitorimit dhe Ndërlidhjes bashkëveprojnë me liderët e komunitetit në tërë Kosovën rregullisht për të garantuar sigurinë e anëtarëve të komunitetit dhe për të nxitur marrëdhënie pozitive midis komuniteteve të Kosovës dhe operacionit të udhëhequr nga NATO”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

Trupat e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it janë duke vazhduar operacionet e tyre gjatë COVID-19 duke ndërmarrë të gjitha masat parandaluese për të mbrojtur personelin e tyre dhe qytetarët e Kosovës.

“Ne jemi të lumtur të ndihmojmë me shpërndarjen e këtyre furnizimeve të nevojshme. Misioni parësor i Komandës Rajonale Lindje është të kontribuojë në sigurinë e zonës dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës në përputhje me mandatin e KFOR-it në KB, por është një nder të ndihmojmë institucionet në Kosovë gjatë këtyre kohërave sfiduese,” tha koloneli i ushtrisë amerikane Eric Riley, komandant KR-Lindje.

Exit mobile version