Telegrafi

KFOR mbështeti zgjedhjet serbe në vendet me popullsi serbe në Kosovë

KFOR-i ka bërë të ditur se ka mbështetur zgjedhjet serbe në vendet me popullsi serbe në Kosovë.

Në komunikatën për media të lëshuar nga KFOR-i, thuhet se gjatë fundjavës ky mision ka kontribuar në zhvillimin efektiv të zgjedhjeve serbe në vendet e banuara me popullsi serbe në Kosovë, në mbështetje të OSBE-së dhe ofruesve lokalë të sigurisë.

Derisa prania statike dhe e lëvizshme e KFOR-it ishte e garantuar në afërsi të tetë qendrave më të rëndësishme të mbledhjes së votave të identifikuara nga OSBE-ja, koordinimi me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe OSBE-në ishte i shkëlqyer.

“Në përputhje me mandatin e tij aktual, KFOR-i vazhdon të veprojë në mënyrë të paanshme, me maturi dhe në mënyrë të vendosur për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për gjithë popullin e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.