Forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO ka një zëvendëskomandant të ri. Sot gjeneral brigade nga Austria, Guenther Schoepf, mori pozicionin e dytë në hierarkinë e KFOR-it nga gjeneral brigade zviceran Laurent Michaud, i cili shërbeu për 13 muaj në Kosovë.
Një ceremoni zyrtare u mbajt në Selinë e KFOR-it, kryesuar nga Gjeneral Major Michele Risi, Komandanti i Forcës së Kosovës.
Në fjalën e tij të lamtumirës Gjenerali Michaud theksoi rolin e tij këshillues ndaj Komandantit dhe theksoi kontaktet e tij të shpeshta me ushtarët e KFOR-it. “Të formësosh, të motivosh dhe të dëgjosh gratë dhe burrat tanë janë tri gjëra për të cilat përkushtimi i kohës është thelbësore, pasi që para së gjithash janë ata që i transformojnë vendimet tona në veprime,” deklaroi ai.
Gjenerali Schoepf gjithashtu mori përsipër nga paraardhësi i tij menaxhimin e ‘Shpatës së Argjendtë 2020-2021’, stërvitja tradicionale e KFOR-it për reagim ndaj situatave emergjente e ku për herë të parë Institucionet në Kosovë të kenë një rol të madh në planifikimin dhe kryerjen e aktiviteteve.
KFOR përbëhet nga 3,500 ushtarë nga 26 Kombe të NATO-s dhe ato partnere dhe është i përkushtuar të kontribuojë në një mjedis të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të KB të vitit 1999.