Telegrafi

KFF Mitrovica fituese e Kupës së Kosovës për femra

Futbollistet e Mitrovicës e kanë fituar trofeun e parë të këtij edicioni për futbollin e femrave, duke e mundur në finalen e Kupës së Kosovës skuadrën e EP Hajvalisë me rezultat 2-1.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, solli rivalitet dhe lojë interesante nga të dyja ekipet.

Të parat në epërsi kaluan mitrovicaset, të cilat realizuan përmes Edona Kryeziut, në minutën e 10-të.

E njëjta futbolliste paraprakisht qëlloi tërthorësen pas gjuajtjes me kokë në minutën e 4-t.

Skuadra e drejtuar nga Suad Keqi pati mundësi të mirë për të barazuar shifrat në minutën e 34-t, por Fortesa Berisha në një përballje direkte me portieren Viona Rexhepi nuk doli e suksesshme.

Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë ishte Qëndresa Krasniqi, e cila i barazoi shifrat, duke çuar skuadrat në pushim me shifrat e barabarta, 1-1.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ishte më i dobët, pasi të dyja ekipet luanin më me kujdes. Mirëpo, për fitoren e Mitrovicës u përkujdes Donjeta Halilaj, e cila në minutën e 79-të shënoi për rezultatin përfundimtar 2-1.

Në fund, medaljet për të dyja ekipet finaliste dhe trofeun për kapitenen e Kaltrina Biqkaj e ndanë Vjollca Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së, Përparim Drini, drejtor i Sigal Uniqa dhe Valbona Gashi Uka, menaxhere e futbollit të vajzave në FFK.

Nga afër këtë ndeshje e ndoqën edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, anëtarë të KE të FFK-së si dhe zyrtarë nga MKRS dhe KOK-u.