Telegrafi

KFF Mitrovica bën historinë, kualifikohet në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve

Skuadra kampione e Kosovës në konkurrencën e femrave, Mitrovica, ka shkruar një faqe të re në historinë e futbollit tonë.

Kampionet e vendit tonë kanë arritur të kualifikohen në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve, pasi janë renditur në pozitën e parë në Grupin 2 të rrethit të parë kualifikues, ndeshjet e të cilit grup janë zhvilluar në Nikshiq.

Skuadra e Mitrovicës i ka mbyllur garat e këtij grupi me tri fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.

Në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese për pozitën e parë, mitrovicaset kanë shënuar fitore në duel me kampionet e Malit të Zi, Breznica Pljevlje, me rezultat 1:0.

Ndonëse për kampionet tona në këtë ndeshje mjaftonte edhe barazimi, ato, megjithatë arritën që t’i gëzohen fitores me golin e shënuar nga Kaltrina Biqkaj, në minutën e 90-të nga penalltia.

Kësisoj, për herë të parë një klub nga Kosova do të marrë pjesë në rrethin e dytë të Ligës së Kampionëve në konkurrencën e femrave, ku do të jenë të përfshira 32 ekipe.

Shorti për rrethin e dytë do të tërhiqet më 16 gusht në Nion, derisa ndeshjet e këtij rrethi do të zhvillohen me sistem eliminimi më 11 ose 12 shtator dhe më 25 ose 26 shtator.