Site icon Telegrafi

KFC Kosova zgjeron shtrirjen e saj me restorantin e nëntë në Ferizaj (Video)

KFC Kosova “Drive Thru”, është hapur sot zyrtarisht në qendrën e biznesit “Ferizaj Retail Park”, në Ferizaj.

Pronari i KFC Kosova, Fatmir Zymberi, tha se janë punësuar 33 persona në KFC Kosova Ferizaj.

Ai tha se nga muaji nëntor do të hapen pika tjera të KFC-së në tërë Kosovën.

“Në këtë pikë të KFC-së, janë 33 punëtorë që i bie më pak punëtorë do kërkojnë punë në Komunën e Ferizajt. Doja të falënderoj edhe investitorin kryesorë të krejt këtij shopping parkut, Naser Hoxha që përfaqëson OXA Group. E kam përcjell punën e OXA Group me gjithë stafin e tij. Faktikisht këta do të jenë qytetarë nderi të Komunës së Ferizajt, pasi të gjitha këto brende që janë hap dhe do të vazhdojnë të hapen, populli i Ferizajt nuk nevojë të shkoj nëpër vende tjera të harxhojnë para, i harxhojnë në Ferizaj. I punësojnë qytetarët e vet dhe kështu zhvillohet vendi. Normal pa përkrahjen edhe të institucioneve komunale kjo punë nuk ishte bërë. Kështu që bashkëpunimi komunë, kryetar dhe biznese, ky është rezultati. Nga muaji i ardhshëm do të vazhdoj në Maqedoni se e kemi përfaqësinë dhe atje dhe do kthehem nga nëntori në Kosovë me hapje të tjera”, ka thënë pronar i KFC Kosova, Fatmir Zymberi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, shprehu mirënjohjen ndaj KFC Kosova për hapjen e kësaj pike në këtë qytet.

Aliu potencoi se Ferizaj është qytet i zhvillimit ekonomik dhe sipas tij fal bizneseve Ferizaj po e ndryshon pamjen çdo ditë.

“Jemi në një eveniment biznesi dhe padyshim si kryetarë komune më vjen mirë. Më vjen mirë dhe për numrin që na jep KFC, numrin nëntë. Numri 9 është numër qendër sulmuesi, është numri i të famshmit Fadil Vokrri. Më shumë gola në biznes jep qyteti i Ferizajt, sepse është qytet i zhvillimit ekonomik. Fal komunitetit të biznesit, qyteti i Ferizajt çdo ditë ndryshon pamjen e tij. Dhe sot jemi në ngjarje që ka ndryshuar pamjen e qytetit. Është KFC që ndryshoi pamjen e Ferizajt. Prania e KFC-së është e veçantë, sepse origjina është amerikane, ndërsa Ferizaj është zonë amerikane. Dhe për këtë duhet të ndjehemi mirë sepse suksesi i Ferizajt është sukses dhe i bashkëpunimit të prezencës amerikane”, ka thënë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Ndërkaq, kjo pikë ka hapësirë rreth 350 metra katrorë, me mbi 25 persona të punësuar dhe me mbi 1 milion euro të investuara. Restoranti është i nivelit dhe standardeve më të larta ashtu siç edhe janë mësuar konsumatorët nga KFC.

Të pranishëm ishin edhe zyrtarë të lartë të institucioneve të ndryshme dhe përfaqësues të Ambasadës së Amerikës.

Ndryshe, kjo hapje edhe një herë shfaqë seriozitetin e brenditë KFC në Kosovë dhe ndikimin e saj në ekonominë e vendit, pasi që nga gushti i vitit 2016, KFC Kosova punësoi mbi 200 punëtorë dhe deri në fund të vitit 2018 pritet të ketë mbi 260. /Telegrafi/

Exit mobile version