KF Rahoveci, i cili me një traditë mbi 80 vjeçare asnjëherë nuk ka bërë gara në kategorinë e tretë të futbollit kosovar, por mjerrisht po bëhet edicioni i dytë që garon në këtë kategori ka synim të qartë që të kthehet në ligën e parë, qysh nga stinori vjeshtor i këtij viti.
Mu për këtë, KF Rahoveci ka filluar stërvitjet, të cilat në mungesë të terrenit i cili nuk është i gatshëm për lojë, po zhvillohen në natyrë, edhe falë kohës së mirë e cila mbretëron, stërvitjet udhëhiqen nën drejtimin e kryetrajnerit Fadil Vuçitërna, i cili në dispozicion ka 25 lojtarë, kryesisht të rinj dhe të talentuar, transmeton portali lokal Rahoveci24.com
Se në klub ekziston serioziteti si kurrë më parë, tregon fakti se rreth klubit janë mbledhur shumë punëtorë sportiv si nënkryetari i komunës Xhemali Haxhimustafa, Shaqir Haxhimustafa dhe biznesmeni Elvis Pista, vetëm e vetëm që futbollistëve t’u jepet kurajo dhe shtytje në vazhdim të stinorit pranveror.
Këtyre duhet shtuar edhe përkushtimin e kryetarit të komunës, Idriz Vehapit, për të mbështetur klubin si dhe
drejtorit të Drejtoratit për KRS, Osman Hasku, i cili thotë se në fushën sportive, prioritet i drejtoratit do të jetë vetëm kthimi i KF Rahovecit në ligën e parë.
Serioziteti për të ardhmen e klubit është shtuar edhe me përforcimin e shtabit teknik ku për zv.trajner është emëruar Edmond Cana, ish sulmues i spikatur i KF Rahovecit, por edhe i Vëllaznimit të Gjakovës dhe i Ballkanit të Therandës.
Cana thotë se klubi në pranverë do të jetë edhe më i fortë, me përforcimet, Shpëtim Duraku, ish futbollist i Bashkimit nga Krusha e Madhe, Egzon Nezaj dhe Egzon Syla, të cilit kanë ardhur nga Rinia e Kosovës dhe Bernard Koni, po nga ky klub.
Cana pajtohet me konstatimin tonë se KF Rahoveci nuk ka vend dhe nuk meriton të garon në kategorinë e tretë të futbollit kosovar, por momentalisht mendohet vetëm për kthim në ligën e parë, ku pas kësaj do të punohet në shtigje afatgjata.
/Rahoveci24.com/Telegrafi/