Site icon Telegrafi

Kevin Durant pas operacionit të suksesshëm: Shihemi shumë shpejt në parket

Dy ditë pas kthimit të pasuksesshëm në parket dhe lëndimit të ri, Kevin Durant i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm.

Super ylli i Golden State Warriors dhe lojtari më i mirë në dy finalet e fundit, luajti vetëm 11 minuta në takimin e pestë kundër Toronto Raptors, kur sërish u lëndua rëndë dhe më nuk u kthye në parket.

Ai ka publikuar një fotografi në llogarinë personale në Instagram teksa i është drejtuar edhe fansave të basketbollit.

“Unë do të doja t’ju informoj se me të vërtetë kam lënduar thembrën e Akilit. Kam kryer një operacion që kaloi me sukses. Rruga ime e rikthimit tashmë ka filluar”.

“Basketbolli është dashuria ime më e madhe dhe kam dashur të luaj atë natë, sepse kjo është ajo që bëj unë. Doja të ndihmoja shokët në titullin e tretë radhazi. Unë e di se vëllezërit e mi mund të fitojnë ndeshjen e gjashtë”, shkroi Durant.

Ndryshe, takimi mes këtyre të dyja skuadrave do të zhvillohet nesër, me fillim në ora 03:00. /Telegrafi/

Exit mobile version