Fëmijët e komunitetit romë në qytetin e Ferizajt, pasi që nuk kanë shtëpi ku të flenë detyrohen ta bëjnë gjumin në rrugë apo kudo që i zë nata.
Në fotografitë e siguruara, këta fëmijë shihen pranë kioskave të vjetra të mbuluar vetëm me një batanije duke bërë gjumin e natës.
Shumë fëmijë të komuniteteve romë, ashkali, si dhe egjiptian (RAE), shihen çdo ditë duke kërkuar lëmoshë pranë kontejnerëve, ku edhe ushqehen.
Ndër punët që bëjnë këta fëmijë janë mbledhja e kanaqeve, pastrimi i xhamave të veturave, lyerja e këpucëve etj.
Sigurisht që këto punë ua pa mundësojnë vijimin e rregullt shkollorë.
Institucionet e Kosovës nuk posedojnë shifër të saktë se sa fëmijë të këtij komuniteti kanë braktisur shkollën.
Rreth 400 mijë nxënës, sipas statistikave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës (MASHT) kanë nisur sivjet vitin shkollor. Por, jo të gjithë nxënësit që llogariten në këtë shifër janë ulur në bankat e shkollës. /Express/