Pyetja e radhës, paksa në formën e humorit të zi, do të ishte: çka kanë të përbashkët minierat e thëngjillit në Kosovë dhe korrupsioni? Duket një pyetje me ngjyrë si të thëngjillit, apo edhe më zi, si të korrupsionit. Se e zeza e korrupsionit është në faqe. Me faqe të zezë, si do të thoshte kryeministri –
faqezinjtë.
Ai mbase e kishte me tjetërkënd, por ne po e kapim për fjale meqë e ka thënë.
Por, kjo nuk është e përbashkëta e vetme e thëngjillit kosovarë dhe korrupsionit. Çka të jetë pra? Përgjigjja është më neutrale për nga ngjyra!
Asgjë do të thoshe? Kjo është përgjigje racionale e kështu do të përgjigjej çdo njeri o arsyeshëm. Por a thua, a ka përgjigje racionale në këtë vend? Mbase edhe ka, por ne nuk e dimë, se nuk jemi racional, se jemi të anshëm. Të jesh i pa anshëm ndaj vetvetes është hipokrizi – të thonë. Arsyetoje tënden. E vetvetja jemi të gjithë ne.
Pra, ne nuk jemi racional, ne jemi emocional. Duam ose urrejmë. Ngremë në qiell apo urrejmë, e shajmë. S’mund të jemi indiferent, sepse thëngjilli dhe korrupsioni janë pasuri e jonë kombëtare. Për këto njihemi në botë.
Do të thuash se KEK-u janë të korruptuar? Se kompanitë e tjera publike janë të korruptuara?
Jo, nuk e them. Sepse kjo do të ishte veçse edhe një përgjigje emocionale? Me të drejtë mund të akuzojnë për xhelozi, për lakmi! Në fund të fundit janë bërë aq shumë pohime, dokumentime dhe denoncime publike të korrupsionit dhe kjo tashmë është diçka që dihet. Ajo që po dihet po ashtu është se askush nuk arrin të bëjë asgjë. Prona publike sjellë më shumë përfitime private sesa bizneset private. Prandaj, janë si janë. As i mbyllin, as i mbajnë qelë: i mbajnë pezull!
Nejse, kur jemi te përgjigjet e mundshme në pyetjen e shtruar më lartë se çka kanë të përbashkët minierat e thëngjillit dhe korrupsioni në Kosovë, ndoshta edhe krejt çka u tha janë të vërteta. Por, kësaj radhe poenta nuk është te emërtimi i të korruptuarve. Është tjetërkund – diku krejt tjetër.
E përbashkëta e thëngjillit dhe krimit në Kosovë është se ndodhen në sipërfaqe. S’ka nevojë të gërmohen, veç duhet me I mbledhë.
Nën tokë gjithsesi ka edhe pasuri të tjera minerare. E kur është fjala te korrupsioni, nën tokë nuk ka asgjë, madje as dëshmitë. Nën tokë janë vetëm dëshmitarët. Edhe nëse nuk janë ende, mund të dërgohen atje, sepse korrupsioni e bënë ligjin. Së paku kështu mendojnë ekspertët.
Por, një qasje e tillë mundet edhe me u keqkuptua nëse je kundër korrupsionit. Mundesh me mbet pakicë edhe me u komprometua keq.
Ja, për shembull, thotë gazetari Holland. Erdhi këto kohë në Shqipëri dhe në Kosovë një korporatë e cila premtoi se do të investojë nga dy miliardë dollarë në secilin nga këto vende. E bëjmë një hulumtim bashkë? Pasi e bëmë hulumtimin, miliarderët rezultuan të jenë mashtrues, të bankrotuar, së paku nga të dhënat publike – zyrtare. Por, kjo nuk e pengon kryeministrin shqiptar apo qeveritarët në Kosovë t’i presin me pompë dhe me premtime. A janë të painformuar qeveritarët apo thjesht janë bashkëmashtrues? Jam i prirë të besojë se janë të mashtruar. Por, kur nga Qeveria kjo paraqitet si akt patriotik, nëse dyshon t’i mund të dalësh edhe tradhtar. Sepse, në Ballkan lufta kundër korrupsionit mundet me u kuptua si luftë kundër pushtetit. Edhe më keq: kundër shtetit!
Duke e pas parasysh se në pushtet janë njerëzit dhe grupet me merita nacionale, kjo mund të merret edhe si fushatë antikombëtare. Kështu, rrjedhimisht, angazhimi ndërkombëtar në Kosovë kundër korrupsionit mund të merret dhe të kualifikohet si veprimtari subversive. Natyrisht, kjo nuk mund të bëhej pa ndihmën nga brenda, pa armikun e brendshëm. Duke pas parasysh përmasat që i ka dhe nivelet në të cilat është akomoduar, krejt kjo luftë kundër korrupsionit mund të kuptohet edhe si thirrje për rrëzim të pushtetit të zgjedhur me votë: me votën e lire!
Larg qoftë. Jo se nuk është e kontestueshme vota. Më mire me e marrë pushtetin dikush me votë të vjedhur se me pushkë. Sidoqoftë, është më legjitime. Më mire është me e mbajt pushtetin me votë të vjedhur, sesa me pushkë dhe gjak.
Këtu, në Ballkan, si duket biznesi dhe politika po flenë në një shtrat – thanë disa përfaqësues të mediave, në një trajnim në Tiranë, ku merrnin pjesë gazetarë dhe publicistë nga Kosova dhe Shqipëria. është vështirë me e konstatua se si ndodhi që rruga e pasurimit te ne nuk është biznesi, por politika. Ti mund të kesh mjaft pasuri, por nëse nuk je në politikë ose me politikën nuk je askund. Sepse biznesi kryesor në këtë vend ende mbetet politika. Punëdhënësi kryesor mbetet shteti. Ata rrotullojnë pjesën më të madhe të parasë; ata janë heronjtë tanë – po thonë – në luftë dhe në paqe! Në politikë! Në biznes! Krejt i kanë. S’ka mbet asgjë veç me u bë rresht. Krejt kombi në një rresht të madh e të pafund, prej Juniku deri në Kaçanik…!
Por, në ekstazën më të lartë patriotike, disi vetvetiu ndizet një dritë e kuqe që thotë “ngadalë, se këtu diçka nuk shkon”!
”E çka nuk shkon, e pyet vetveten”, dhe fillon të bësh diçka që nuk ke mundur në periudhën e euforisë. Fillon me mendua! Fillon me dyshua në vlerat që i shlyem nga përdorimi i tepruar.
“Këtu diçka nuk shkon”, thoshte gazetari John Holland në Tiranë. “Politikanët janë të zgjuar”, shtonte thoshte ai, “por gjithnjë bëjnë gabime”.
Patjetër se bëjnë gabime dhe një gazetar apo hulumtues i shkathtë mund të ndikojë të mbyllë rrugën, për të bërë të pamundur të ndodhë.
Apo nëse tashmë ka ndodhë të bëhet publike.
Sepse sipas ligjeve të Marfit, nëse diçka e keqe mund të ndodhë – do të ndodhë!