Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës njofton nxënësit, prindërit, mësimdhënësit dhe publikun e gjerë që fillimi i zbatimit të fazës së dytë të pilotimit të mësimit gjithë-ditor do të fillojë nga e dita e hënë, 3 tetor 2016.
Pilotimi i mësimit gjithë ditore, këtë vit do të zbatohet në këto shkolla: ShFMU “Afrim Gashi”; ShFMU “Emin Duraku”; ShFMU “Faik Konica”; ShFMU “Ganimete Tërbeshi”; ShFMU “Model”; ShFMU “Pjetër Bogdani”.
Këtë vit Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim, me menaxhmentin e shkollave, mësimdhënës dhe prindërit, ka ndërmarrë një sërë veprimesh që ky proces të mirë zbatohet. Të gjitha shkollat në zbatim tashmë kanë në dispozicion kornizën e mësimit gjithë-ditor, që do t’iu shërbejë si udhërrëfyes në këtë proces. Informatat e përmbledhura rreth ecurisë së fillimit të zbatimit janë si vijojnë:
Struktura: Për shkollat me dy ndërrime, pilotimi do të zbatohet vetëm në dy paralele; për shkollat me një ndërrim, pilotimi do të jete gjithëpërfshirës për të gjitha paralelet.
Menaxhimi: Drejtoria e Arsimit, ka angazhuar koordinatorë, të trajnuar për zbatim të këtij pilotimi, të cilët në vazhdimësi do të përkrahin dhe monitorojnë punën në secilën nga shkollat, në mënyrë që të kemi një proces të mirë menaxhuar. Koordinatorët në bashkëpunim me shkollat kanë përfunduar të gjitha përgatitjet dhe planifikimet për punë me nxënës.
Infrastruktura: Intervenimet e nevojshme infrastrukturore tashmë janë ndërmarrë dhe do të intervenohet në vazhdimësi sipas nevojës në të gjitha shkollat në pilotim. Në shkollën “Faik Konica” është duke u punuar në ndërtimin e aneksit dhe deri në përfundim të tij, nuk do të ketë mësim të shtuar për nxënësit e klasave të larta, kurse për nxënësit e shkollës fillore ka hapësirë të mjaftueshme.
Materialet Mësimore: Drejtoria e Arsimit ka pajisur të gjitha shkollat në pilotim me tituj të ri librash që do te jenë në dispozicion për aktivitetet e leximit. Janë furnizuar shkollat me më shumë se 400 tituj librash, përfshirë këtu enciklopedi, fjalorë, libra letrarë, shkencorë e të tjera, për nxënës dhe mësimdhënës. Qëllimi është që aktivitetet e mësimit gjithë ditore të jenë të ndryshme nga ai i rregullt, dhe që ngjallin interesimin dhe përfshirjen e nxënësve.
Aktivitetet: Mësimi gjithë ditorë do të jetë i ndarë në tre komponentë: (1) aktivitete të leximit; (2) përsëritjes/ mësim shtesë/plotësues; dhe (3) aktivitete fizike. Plan programet e mësimit gjithë ditorë do të zhvillohen nga mësimdhënësit në bashkëpunim me ekspertë të jashtëm. Gjatë gjysmë vjetorit të dytë, Drejtoria e Arsimit, do të përfshijë institucione, OJQ dhe organizata të jashtme të cilat mund të kontribuojnë në proces me aktivitete të ndryshme atraktive për nxënës.
Orari: Mësimi gjithë ditorë, për ciklin e ulët, do të përfshijë 1 (një) orë shtesë në ditë, kurse për ciklin e lartë, mësimi gjithë ditorë do të përfshijë 2 (dy) orë shtesë. Një orë e mësimit gjithë ditore në kohëzgjatje do të jetë 45 minuta. Shkollat planifikojnë orarin e mësimit sipas specifikave që kanë.
Ushqimi: Drejtoria e Arsimit do të sigurojë për të gjithë nxënësit e shkollave në pilotim një shujtë ditore: një kifle dhe qumësht. Shkollat në bashkëpunim me prindërit vendosin për pjesën tjetër të ushqimit që do të sigurohet nga vetë prindërit (ushqimi që mund të merret nga shtëpia).
Ju rikujtojmë që mësimi gjithë ditorë është pjesë e pilotimit trevjeçar të ndërmarrë nga Komuna e Prishtinës. Çfarëdo vendimi për gjithë përfshirje të këtij procesi në të gjitha shkollat, do të merret vetëm pas rishikimit të kujdesshëm të të gjeturave nga pilotimi dhe në bashkëveprim me të gjithë akterët. /Telegrafi/