Sulmet e përgjakshme në Bruksel dhe Paris, tregojnë qartë se ekzistojnë celula terroriste në zemër të Evropës, dhe se janë të rrezikuara gjitha qytetet e mëdha.
Sulmi tjetër i mundshëm nuk mund të parashikohet lehtë, por zyrtarë të inteligjencës amerikane kanë zbuluar se në cilat shtete duhet pasur kujdes të shtuar, pasi sipas informatave të tyre, pikërisht në ato vende fshihen celulat më të mëdha dhe më të rrezikshme të ISIS-it, që janë të gatshme për sulme të reja brutale, transmeton Telegrafi.
“Britania e Madhe, Italia dhe Gjermania, janë vendstrehimet e preferuara të celulave të xhihadistëve në kontinentin e vjetër”, ka deklaruar zyrtar i lartë i inteligjencës amerikane James Clapper, gjatë një interviste dhënë CNN.
I pyetur nga gazetari nëse në Gjermani, Britani dhe Itali, ekzistojnë degë të fshehta të ISIS-it të ngjashme me ata që kryen sulmet vdekjeprurëse në Bruksel, Clapper është përgjigjur shkurtimisht, “po, ka”.
“Këto informacione që janë bërë publike në ditën kur presidenti amerikan Barack Obama ishte për një vizitë zyrtare në Gjermani, nuk janë më të reja”, thotë Matthew Levitt nga Instituti për Politika të Lindjes së Afërt në Uashington, duke shtuar se ajo çfarë është e çuditshme është deklarata e Clapper për ekzistencën e këtyre celulave.
Levitt, ish-ndihmës sekretar për siguri, ka deklaruar se pavarësisht faktit se Franca dhe Belgjika aktualisht janë në fokus, arrestimi i të dyshuarve për terrorizëm është duke u aplikuar në masë të madhe në Britani dhe Gjermani, por problemi më i madh sipas tij është, se shërbimet evropiane nuk bashkëpunojnë mjaftueshëm në shkëmbimin e të dhënave.
Frika e sulmeve terroriste nga xhihadistët është rritur për shkak të krizës së emigrantëve. Vetëm gjatë vitit të kaluar kanë arritur në Evropë një numër i madh i refugjatëve, të cilët vijnë nga vendet ku operon ISIS.
Shumica prej tyre gjenden në Gjermani, kurse shumë besojnë se në këtë valë të emigrantëve, në Evropë kanë arritur në mënyrë të fshehtë edhe luftëtarët e Shtetit Islamik. /Telegrafi/