Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka hyrë në fuqi sot. Kjo është një marrëveshje kontraktuale me BE-në dhe si e tillë definon hapat ekonomik, politik dhe legjislativ të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe forcon më tej demokracinë dhe subjektivitetin e shtetit të Kosovës.
Kjo marrëveshje në aspektin tregtar, për sa i përket eksportit në Bashkimin Evropian, të gjitha produktet industriale të prodhuara në Kosovë do të eksportohen në shtetet e BE-së me tarifë doganore zero. Tarifat doganore do të hiqen plotësisht (nga hyrja në fuqi) për produkte bujqësore (gjithsej janë 2,564 produkte bujqësore, të përpunuara bujqësore dhe produkte peshku), përveç mishit, verës dhe produkteve të sheqerit, transmeton Koha.net.
Ndërsa sa i përket importit nga Bashkimi Evropian, 1,131 produkte industriale do të liberalizohen gradualisht brenda një periudhë prej pesë vitesh. Ndërsa, 925 produkte industriale do të liberalizohen gradualisht brenda një periudhe shtatëvjeçare nga hyrja në fuqi e MSA-së. Që nga hyrja në fuqi e MSA-së, Kosova do të shfuqizojë tarifat doganore për 1,044 nga 2,564 produkte bujqësore nga BE-ja. Ndërsa, 164 produkte bujqësore të BE-së tashmë janë të liruara nga tarifa doganore me Ligjin Nr. 04/L-163 për Mallrat e Liruara nga Tatimi Doganor dhe Mallrat me Tarifë Zero të Tatimit Doganor.
Ndërsa, 256 produkte senzitive bujqësore (180 produkte bujqësore dhe 76 produkte të procesuara bujqësore) të rëndësishme për fermerët e Kosovës do të mbrohen për shtatë vjet. Kurse, 14 produkte kanë qenë të pa-negociueshme dhe nuk janë përfshirë në marrëveshje, gjë që do të thotë se tarifa kosovare do të mbetet e njëjtë (10 për qind) për ato produkte (që kryesisht përfshijnë produktet: patate e papërpunuar, qumësht, produkte të qumështit dhe krem, kos, mollë, verë). 12 produkte shumë të rëndësishme për prodhimin bujqësor të Kosovës (tetë produkte bujqësore dhe katër produkte të përpunuara bujqësore) do të mbrohen për 10 vjet (fruta dhe perime, ujë, birrë dhe produkte të grurit).
Gjithashtu, sa i përket sektorit të shërbimeve, MSA, kosovarëve ju mundëson njohjen e kualifikimeve profesionale nga ana e BE-së dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve profesionale në tregun evropian, qoftë si të punësuar apo të vet-punësuar.
Me qëllim të informimit të bizneseve, MTI ka filluar me organizimin e takimeve informuese me bizneset në lidhje me elementet kryesore të MSA-së dhe kriteret e standardet të cilat kërkohen nga tregu i BE-së në mënyrë që produktet të mund të plasohen në këto tregje. Për më tepër, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të vazhdoj informimin e bizneseve edhe përmes grupeve punuese që ekzistojnë për konsultime me bizneset si dhe MTI ka caktuar një orar për informimin e bizneseve për MSA-në: çdo të premte prej orës 14:00 deri në orën 15:00.
MTI planifikon t’i mbështes bizneset për certifikimin e produkteve sipas standardeve evropiane e ndërkombëtare (përmes një skeme të veçantë për certifikim), ndërsa në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtar planifikohet të shpërndahen edhe grante për përkrahje të drejtpërdrejtë bizneseve që synojnë rritjen e kapaciteteve të prodhimit dhe të eksportit.
Sa i përket legjislacionit është duke u hartuar ligji për shërbimet i cili do të krijon rregullatorin e sektorit të shërbimeve, një ndër sektorët më përfitues të MSA-së, pastaj është duke u amendamentuar legjislacioni për konformitet, produkte të ndërtimit, mbrojtje të konsumatorit, metrologji, akreditim, standardizim, shoqëri tregtare, etj. Gjithashtu do të vazhdoj transpozimi i direktivave dhe rregulloreve teknike që mbulojnë produktet industriale.
Sa i përket fuqizimit të infrastrukturës së cilësisë si mekanizëm kyç i konformitetit të produkteve, MTI është duke punuar në fuqizimin e laboratorëve aktual të metrologjisë dhe planifikohet themelimi edhe i laboratorëve të tjerë, sipas kërkesës së bizneseve vendore. Në fushën e standardizimit, deri më tani janë adoptuar 8,646 standarde evropiane dhe ndërkombëtare, ndërsa planifikohet të vazhdohet me trendin e adoptimit të 1,500 standardeve për çdo vit.
Për të përmirësuar më tej mbikëqyrjen e tregut vendor është themeluar Këshilli Kombëtar për Mbikëqyrje të Tregut dhe është zhvilluar baza e të dhënave që përmban informata për produktet e rrezikshme që qarkullojnë në treg konform RAPEX-it. Kjo do të mundëson shkëmbim të informatave me BE-në për produktet e rrezikshme që qarkullojnë në treg duke i mundësuar konsumatorit kosovar informim më të mirë.