Telegrafi

Këto janë kushtet për të aplikuar për fondet bujqësore të programit IPARD 2

Bujqit dhe firmat bujqësore duhet të plotësojnë kushtet minimale në aspekt të sipërfaqes dhe numrit të bagëtive, nëse dëshirojnë që të aplikojnë për bashkëfinancim nga programi IPARD 2, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në programin e ri, kriteret për shfrytëzimin e parave evropiane janë lehtësuar për një numër të madh bujqish. Të gjithë që dëshirojnë të konkurojnë duhet që të jenë të regjistruar në sistemin për identifikimin e parcelave me madhësinë e saktë minimale të caktuar të tokës, varësisht nga kulturat që i kultivojnë.

Për investime në pemtari, vreshta, serra, duhet që bujku të ketë më së paku 0.3 hektar tokë, edhe atë 0.1 hetkar për fidanishte, gjysëm hektari për perime në hapësirë të hapur, kurse për blerje të mekanizmit bujqësor për kulturat e drithërave bujku duhet të ketë 1 hektar tokë.

Në lidhje me blegtorinë, kopetë duhet të jenë të regjistruara me numrin e duhur minimal për kokë bagëtie, ose numri i kërkuar i bagëtisë të arrijë deri në fund të realizimit të investimit.

Kushti minimal në këtë rast është që bujku të ketë pesë lopë, ose 12 viça, 15 dele ose dhi, 16 dosa ose 300 derra, ose 1.400 zoçka, ose 700 pula./Telegrafi/