Telegrafi

Këto janë komunat në të cilat PDK, LDK e AAK nuk kanë bërë të ditur ende kandidatët për kryetarë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranoj aplikimet e subjekteve politike për t’u certifikuar në zgjedhjet lokale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur sot për Telegrafin, se periudha e aplikimit të subjekteve politike për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit si dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, përfundon më 16 gusht.

E kur kanë mbetur edhe një javë kohë deri në përmbyllje të këtij procesi, partitë politike ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatët për kryetarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Tri partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK deri tash kanë zyrtarizuar shumicën e kandidatëve për komuna, kurse LVV e cila aktualisht është në pushtet, deri më tani nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat në asnjërën prej komunave të Kosovës.

Lexo po ashtu Kandidatët e zyrtarizuar deri më tash nga PDK, LDK e AAK për kryetar komunash

PDK deri tash ka zyrtarizuar 11 kandidatë për kryetarë komunash, ndërkaq ka mbetur pa zyrtarizuar kandidatët në këto komuna: Deçan, Gjakovë, Gjilan, Dragash, Istog, Klinë, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Suharekë, Podujevë, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Hani i Elezit dhe Mamushë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka zyrtarizuar 19 kandidatë, ndërkaq komunat në të cilat LDK ende nuk i ka bërë zyrtare kandidatët për kryetarë janë: Gjakovë, Drenas, Kaçanik, Obiliq, Skenderaj, Shtime, Mitrovicë, Hani i Elezit dhe Mamushë.

Edhe partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deri tash ka zyrtarizuar 15 kandidatë për kryetarë komunash.

AAK ka mbetur pa zyrtarizim të kandidatëve në këto komuna: Drenas, Dragash, Kaçanik, Fushë Kosovë, Lipjan, Prizren, Skenderaj, Shtime, Viti, Malishevë, Mitrovicë, Hani i Elezit dhe Mamushë.

Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor, ndërkohë subjektet politike kanë 30 ditë kohë për të bërë fushatë zgjedhore. /Telegrafi/