Nga dështimi i mbajtjes së maskës ose pjesëmarrja në një protestë të paligjshme, këto do të jenë gjobat për shkeljen e masave të coronavirusit në Zvicër.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rregullat hynë në fuqi më 18 janar në një përpjekje për të frenuar përhapjen e infeksioneve të coronavirusit, të cilat janë rritur në javët e fundit.
Këto masa përfshijnë mbylljen e bareve, restoranteve dhe të gjitha bizneseve jo thelbësore.
Gjithashtu, ekziston një kufi deri në pesë persona për takime publike dhe private, së bashku me mesazhin që të punohet prej shtëpisë, kur është e mundur.
“Kushdo që shkel masat për të luftuar epideminë do të kryejë një vepër penale; personat të cilët nuk i përmbahen rregullave mund të gjobiten midis 50 dhe 200 franga, në varësi të veprës penale”, citohet të ketë thënë qeveria.
Cilat janë, pra, disa nga ndëshkimet për shkeljen e rregullave të mësipërme?
Organizimi i një ngjarje private ku marrin pjesë më shumë se pesë persona: 200 franga
Grumbullimi i më shumë se pesë personave në hapësirën publike: 50 franga
Pjesëmarrja në një ngjarje të organizuar në mënyrë të paligjshme: 100 franga
Mos mbajtja e maskës në transportin publik ose në aeroport: 100 franga
Mos mbajtja e maskës në demonstratën publike: 100 franga
Qëndrimi në këmbë gjatë konsumimit në një bar ose restorant: 100 franga
Mosrespektimi i një kërkese karantine: deri në 10,000 franga
Dhe siç raportohet deri më tani, qindra gjoba janë dhënë tashmë për shkeljen e rregullave për Covid-19.
Për shembull, policia në kantonin e Cyrihut vendosi rreth 100 gjoba vetëm në javën e parë të shkurtit. Vaud dha 106 gjoba, ndërsa në Gjenevë, Valais dhe Thurgau, midis 30 dhe 40 gjoba u lëshuan në ditët e para të shkurtit.
Shumica e gjobave janë vendosur për tejkalimin e kufirit të pesë personave si për mbledhjet publike dhe ato private, raportojnë departamentet e policisë kantonale. /Telegrafi/