Papa Francesku është takuar këtë fundjavë me 20 ish punëtore seksi, 4 prej tyre janë shtetase shqiptare.
“Ju kërkoj falje në emër të të gjithë atyre burrave që ju kanë bërë të vuajnë” është shprehur gjatë këtij takimi Papa Francesku. “Ju kërkoj falje për të gjithë ata katolikë e besimtarë që kanë abuzuar me ju, ju kanë shfrytëzuar e dhunuar. Jetoni me shpresë e gëzim për të ardhmen që keni para”.
Ka qenë një surprizë e vërtetë takimi i Papa Franceskut me 20 ish prostitutat të cilat janë sot pjesë e një projekti rekuperimi pranë strukturës romane fetare Komuniteti i Papa Giovanni XXIII.
20 vajzat kanë mundur të shpëtojnë nga rrjeti i prostitucionit e shfrytëzimi i tyre nga organizatat kriminale që veprojnë në territorin italian.
Ish-punëtoret seksi që u takuan me Papa Franceskun janë të gjitha në një moshë mjaft të re deri 30 vjeç, 6 prej tyre vijnë nga Rumania, 4 nga Shqipëria, 7 nga Nigeria e 3 të tjerat nga Italia, Ukraina e Tunizia.
Sipas të dhënave të Komunitetit të Papa Giovanni i XXIII, përcjell javanews.al, aktualisht në Itali gjenden nga 75.000 deri 120.000 gra e vajza viktima të prostitucionit, 65% janë minorene.
Prejardhja e tyre është shumica nga Nigeria (36%), Rumania (22%), Shqipëria (10,5%), Bullgaria (9%), Moldavia (7%).Gjatë meshës së të dielës Papa Francesku i ka dedikuar lutjen e tij grave e vajzave të dhunuara.
Para mijërave besimtarëve në sheshin Shën Pietro, Ati i Shenjtë u shpreh: “Të mendojmë në veçanti, për ato gra të mposhtura nga pesha e jetës dhe nga drama e dhunës, për ato gra skllave të prepotencës së të pushtetshmëve, për ato vajza të detyruara të bëjnë punë çnjerëzore, për ato femra të shtrënguara t’i dorëzohen korp e shpirt lakmisë së burrave. Sa më shpejt, ardhtë për to fillimi i një jete në paqe, në drejtësi, në dashuri, në pritje të ditës, në të cilën, më në fund, do të ndjehen të mbajtura nga duar, që nuk i poshtërojnë, por me ëmbëlsi, i ngrenë dhe i udhëheqin drejt udhës së jetës deri në qiell… E t’i lutemi Zotit që Ai vetë t’i mbajë në duart e Tij në udhën e jetës e, t’i çlirojë nga këto skllavëri”.