Site icon Telegrafi

Këto janë fjalët e trajnerit dhe lojtarëve të Prishtinës para finales së madhe

Rruga më e mirë për të shpëtuar një sezon të keq është fitorja e sotme dhe shkuarja në Ligën e Evropës.

Të vetëdijshëm për këtë, prishtinasit do të hyjnë të motivuar për të mposhtur sot Dritën, në finale e madhe të DigitAlb Kupës së Kosovës.

Takimi që nis në ora 16:00, po pritet nga një interesim i jashtëzakonshëm i tifozëve.

Trajneri dhe lojtarët e Prishtinës, janë shprehur optimist se ky trofe do të ngritet lartë nga duart e tyre pas ndeshjes.

Deklaratat

Fadil Berisha, trajner: Na pret ndeshje e vështirë. Por, Prishtina ndeshjes do t’i hyjë domosdo për ta fituar Kupën, pasi që vetëm se tani jemi të pranuar, të dalim në gara ndërkombëtare. Do të provojmë të luajmë sa më bukur dhe të fitojmë ndeshjen. Kam besim në futbollistët që do t’i përzgjedh të luajnë se do të japin qindpërqindtë, sepse edhe ata janë të vetëdijshëm se me këtë triumf do të marrin pjesë në UEFA Europa Ligë.

Liridon Kukaj, kapiten: Do të jetë finale e vështirë. Kemi pasur rrugë të vështirë deri këtu, e duke mos e harruar edicionin shumë të vështirë e që megjithatë e kemi përballuar. Tani na ka mbetur që të shpëtojmë sezonin me një trofe – trofe që na dërgon në Ligën e UEFA-s. Shpresoj dhe besoj shumë në kualitetin e ekipit tonë e që sigurisht pres të triumfojmë

Lorik Boshnjaku, mesfushor: Me angazhim e seriozitet shumë të madh dhe me mbështetje maksimale të “Plisave” dhe të gjithë adhuruesve të klubit, do të arrijmë të fitojmë ndeshjen dhe të ngrehim lartë trofeun e Kupës së Kosovës. Nga fillimi, përveç mbetjes në elitë, objektivi ynë ka qenë Kupa e Kosovës dhe sigurisht ta arrijmë të realizojmë ëndrrën si qëllim kryesor, të dalim në Evropë.

Gentrit Begolli, sulmues: Prishtina është ballafaquar me sezon të vështirë. Shpresoj që me triumfin për Kupë të bëjmë krenar të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe të gjithë adhuruesit e saj anekënd ku ndodhen e të dalin në Evropë që të përfaqësojmë Prishtinën në mënyrën më të mirë, ashtu siç i ka hije Prishtinës dhe futbollit kosovar.

Berat Hyseni, sulmues: Së pari duhet të them se kemi ardhur me meritë deri këtu në finale. Objektivi i mbetjes në elitë dhe arritja në finale janë afër realizimit,duhet ta kompletojmë me ngritjen e trofeut. Me një angazhim të madh, sepse tani më nuk e kemi presionin e ekzistencës në Ligë, do të shënojmë fitore, ta ngrehim trofeun dhe pas gjitha atyre problemeve, t’i harrojmë ato dhe më në fund të shijojmë gëzimin.

Kreshnik Lushtaku, sulmues: Do të na mbështesin shumë adhurues dhe nuk duhet t’i dëshpërojmë, s’ka tjetër, përveç fitores. Është ndeshja e fundit dhe më e rëndësishmja për ne, për të dalë në Evropë. Kemi ekip shumë më të mirë se sa rivalët, duhet që nga fillimi i ndeshjes t’i bëjmë shumë presion dhe në tridhjetë minutat e parë t’i thyejmë me domosdo.

Exit mobile version