Site icon Telegrafi

Këto janë dy mrekullitë e Nënës Tereze

Nëntëmbëdhjetë vjet pas vdekjes, Nënë Tereza do të shenjtërohet nesër, (të dielën), nga Papa Françesku në Vatikan.

Në ceremonitë e shenjtërimit pritet të marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz. Për arsye të rrënjëve të saj, Nënë Tereza bën krenarë shumë shqiptarë, të cilët pritet të marrin pjesë masive në ceremonitë e Vatikanit.

Por, cila ishte Nënë Tereza dhe përse bota po i kushton asaj kaq shumë vëmendje?

Papa Françesku ka njohur zyrtarisht dy mrekulli, që besohet se janë vepër e Nënë Terezës dhe që i hapën asaj rrugën për t’u bërë shenjtore.

Në vitin 2008, u bë e ditur se ajo kishte shëruar një brazilian, i cili vuante nga disa tumore të trurit.

Marcilio Haddad Andrino thotë se mjekët nuk i kishin dhënë asnjë shpresë për të jetuar, por gruaja e tij Fernanda vazhdimisht lutej për të dhe beson se ishte ndërhyrja e Nënë Terezës që ai të shërohej kur ishte nën kujdesin intensiv.

Prifti kanadez Brian Kolodiejçuk, kryesoi përpjekjet që Nënë Tereza të bëhej shenjtore.

Ai thotë se kanonizimi i Nënë Terezës është njohja e faktit se ajo jo vetëm që e zhyti veten në varfërinë materiale të të varfërve, por edhe në varfërinë shpirtërore të atyre që ndiheshin të braktisur.

Procesi i shenjtërimit të Nënë Terezës u përshpejtua vetëm një vit pas vdekjes së saj.

Marco Politi, është korrespondent i Vatikanit për gazetën “Il fatto Quotidiano”:

“Mendoj se kjo ka rëndësi jo vetëm për besimtarët, por edhe për jo-besimtarët, sepse në ditët e sotme është bëtë tepër e vështirë të thuhet se si duhet përshkruar Zoti, ç’është Zoti dhe cila është marrëdhënia midis tij dhe njerëzve.”

Në vitin 1950, Nënë Tereza themeloi urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë, që sot ka 130 shtëpi në të gjithë botën.

Nënë Tereza fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 për punën e saj me të varfër dhe të sëmurët e Kalkutës, punë që vazhdoi edhe pasi ajo vetë u sëmur. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87 vjeçare.

Në atë kohë, urdhri i saj kishte rreth 4,000 murgesha dhe administronte rreth 600 jetimore, mensa, strehimore dhe klinika.

Mrekullia e dytë e Nënës Terezë është shërimi i një fshatareje të quajtur Monica Besra.

Ajo thotë se është shëruar nga kanceri pasi ishte lutur tek Nëna Terezë.

Exit mobile version