Telegrafi

Këto fotografi thuhet se tregojnë shtëpinë në Kabul ku u vra shefi i Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri

Mediumi prestigjioz CNN thotë se ka identifikuar atë që duket të jetë shtëpia në Kabul, Afganistan, e goditur nga një sulm me raketë me dron Hellfire që vrau udhëheqësin e Al Kaedës, Ayman al-Zawahiri, ndërsa ai ishte në ballkon.

Identifikimi u bë duke lokalizuar dhe verifikuar vërtetësinë e tre fotografive që qarkullojnë në mediat sociale që nga e diela, përveç përdorimit të imazheve satelitore arkivore me rezolucion të lartë.

Sulmi që u zhvillua në Kabul, u autorizua nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden pas disa javësh takimesh me kabinetin e tij dhe këshilltarët kryesorë.

Ai sulmoi liderin 71-vjeçar të Al Kaedës, i cili në një kohë vepronte si mjeku personal i Osama bin Ladenit dhe që u ngjit në krye të organizatës terroriste pasi forcat amerikane vranë bin Ladenin në vitin 2011.

CNN ka kontaktuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare për koment mbi identifikimin e shtëpisë, por nuk ka marrë menjëherë një përgjigje.

Shtëpia, e vendosur në lagjen Sherpur të kryeqytetit afgan, është e rrethuar nga disa shtëpi dhe ndërtesa në veri, jug dhe perëndim të saj.

Drejtpërdrejt në lindje të shtëpisë ndodhet shkolla e mesme Omaid.

Dhe pak më shumë se 300 metra në juglindje të shtëpisë ndodhet ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kabul.

Sipas Ministrisë së Jashtme Britanike, i gjithë personeli diplomatik dhe konsullor është “tërhequr përkohësisht” nga vendi.

Shtëpia është në një zonë të quajtur Zona e Gjelbër, ku jetonin shumica e zyrtarëve të mëparshëm të qeverisë afgane.

Zawahiri po strehohej në qendër të Kabulit për t’u ribashkuar me familjen e tij, tha Biden në fjalimin e tij të së hënës në mbrëmje, duke njoftuar sulmin. /Telegrafi/