Site icon Telegrafi

Këtë vit rehabilitohet rruga Tetovë-Jazhincë

Punët për këtë projekt shumë të kërkuar nga banorët e Tetovës dhe komunave Tearcë dhe Jegunoc pritet të fillojnë vitin e ardhshëm.

Këtë vit pritet që të rikonstruohet rruga Tetovë-Jazhincë, respektivisht në pjesën nga dalja e qytetit të Tetovës deri në fshatin Xhepçisht. Një paralajmërim të këtillë gjatë vitit të kaluar kishte dhënë edhe ish drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Zoran Kitanovski, por që nuk u realizua. Premtim të njëjtë ka dhënë edhe drejtori aktual i kësaj agjencie, Ejup Rustemi, i cili është shprehur se pritet që të përzgjidhet kompania e cila do të bëjë asfaltimin e kësaj rruge, kurse këtë vit pritet që të asfaltohen kilometrat e parë. “Është në përfundim e sipër zgjedhja e një kompanie, e cila do të bëjë rehabilitimin e njërës prej rrugëve më të frekuentuara në Maqedoninë e Veriut, që është rruga Tetovë –Jazhincë, ku 4.2 kilometrat e parë do të rehabilitohen këtë vit. Bëhet fjalë për pjesën nga Drenoveci nëpër Poroj deri në Xhepçisht”, deklaroi drejtori Rustemi.

Rruga Tetovë-Jazhincë disa vite me radhë është mjaft e dëmtuar edhe pse disa herë është rikonstruuar por në shumë pjesë sërish dëmtohet. Kjo bëhet për shkak të frekuentimit të madh të automjeteve, sidomos kamionëve që transportojnë mallra, prandaj e njëjta shkatërrohet shumë shpejt dhe jep përshtypjen se nuk është asfaltuar dekada me radhë. Pothuajse tre herë është rikonstruuar gjatë 12 viteve të kaluara ky aks rrugor, kurse sot është mjaft i dëmtuar në zona të ndryshme. Prandaj ka kohë që si alternativë përmendet qarkorja nga Tetova për në Komunën e Tearcës, që do të lehtësonte komunikacionin në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë. Me këtë rast drejtori Rustemi edhe njëherë ka bërë të ditur se është në përfundim e sipër përzgjedhja e projektit ideor për ndërtimin e qarkores nga Tetova që do të lidhet me Komunën e Tearcës përmes fshatit Xhepçisht, kurse punët për këtë projekt shumë të kërkuar nga banorët e Tetovës dhe komunave Tearcë dhe Jegunoc pritet të fillojnë vitin e ardhshëm. Kohë më parë ishte paralajmëruar se do të ndërtohet rrugë nga fshati Xhepçisht i Komunës së Tetovës deri në fshatin Neproshten të Komunës së Tearcës, me një gjatësi prej rreth 6 kilometrave. Por, kjo rrugë tashmë do të jetë pjesë e qarkores së paralajmëruar që pritet të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm.(koha.mk)

Exit mobile version