Site icon Telegrafi

Këtë vit fillon ndërtimi i qarkores në Tetovë

Në vitin 2019 kur në Tetovë ishte mbajtur seanca e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kryetarët e komunave të Tetovës, Zhelinës, Jegunocit dhe Tearcës kishin kërkuar ndërtimin e një qarkore në hyrje të Tetovës nga autostrada në drejtim të komunës së Tearcës. Këtë kërkesë e kishte pranuar edhe kryeministri në dorëheqje Zoran Zaev. Por, tashmë kanë kaluar dy vite dhe në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Që nga ndërtimi i autostradës Shkup-Tetovë-Gostivar, në pjesën në hyrje të Tetovës ka vetëm një qarkore, edhe ajo është nyja lidhëse me Gostivarin për automjetet që nuk kanë si destinacion qytetin e Tetovës. Automjetet e rënda shfrytëzojnë rrugët e brendshme të qytetit të Tetovës si tranzit për t`iu bashkangjitur aksit rrugorë Tetovë-Jazhincë. Si rrugë shfrytëzohet, nga hyrja tek ish Monopoli dhe më pas vijon në bulevardin “Bllagoja Toska”, për të dalë tek Stadiumi i qytetit dhe kjo e dëmton infrastrukturën rrugore por edhe krijon kaos në trafik. Paralajmërimet e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi janë se deri në fund të këtij viti do të fillojë ndërtimi i së njëjtës.

“Shpresoj se këtë vit do ta kemi projektin për qarkoren e Tetovës dhe njëkohësisht e kemi paraparë në programin e ndërmarrjes publike “Rrugët Shtetërore”. Me marrjen e projektit dhe me dhënien e lejeve për ndërtimin nga Ministria e Transportit, shpresojmë që kah fundi i vitit të fillojë edhe ndërtimi i kësaj qarkore, e cila është shumë e rëndësishme për banorët e Tetovës dhe jo vetëm” deklaroi Rustemi.

Ndërkohë këshilltari në komunën e Tetovës Hamdi Sulemani, nga Iniciativa më “Mirë për Tetovën”, thotë se të gjitha premtimet e kryeministrit të dorëhequr Zoran Zaev për investime në Pollog, kanë qenë gënjeshtra.

“Çdo premtim që e ka dhënë ish kryeministri Zoran Zaev për Pollogun ka qenë gënjeshtër dhe asnjëherë e realizueshme. Kjo iniciativë është e kamotshme, nuk është vetëm hapja e pjesës së djathtë nga ura e Treboshit, drejt Xhepçishtit deri në Neproshten, por njëkohësisht duhet të hapet edhe një hyrje për në Tetovë në drejtim të fshatit Falishtë, ku ekzistojnë konstruksionet e urës, që kanë filluar të ndërtohen që në kohën kur ka filluar të ndërtohet autostrada Shkup-Tetovë, dhe nuk është funksionalizuar shkaku i një pronari që ka bërë problem. Me hapjen e këtyre dy rrugëve, mendojmë se do të lehtësohet shumë hyrja kryesore në Tetovë e cila viteve të fundit është shumë e stërngarkuar. Premtimet e qeverive të kaluara asnjëherë nuk kanë qenë serioze, por vetëm pjesë e politikës, por ne si këshilltarë do ta inicojmë edhe këtë problem në seancat e radhës ku edhe do të ftohet drejtori që të jep sqarime më të detajuara”, tha Sulemani.

Qarkorja së bashku me rrugën e re Tetovë-Trebosh-Neproshten është kërkuar me qëllim që të lehtësohet komunikacioni në qytetin e Tetovës dhe në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë. Drejtori Rrustemi, pohon se kjo zgjidhje do të ketë efekt të dyfishtë, uljen e ndotjes dhe shkarkimin e kaosit në rrugën Tetovë-Jazhincë. “Qarkorja do të fillojë nga zona industriale dhe del në fshatin Neproshten, prandaj mendojmë se me ndërtimin e asaj rruge nuk do të kemi ngarkesë të madhe në rrugën aktuale Tetovë-Jazhincë. Pra ndërtimi i qarkores me rrugën rajonale Tetovë-Neproshten, mendojmë se do t`i ndihmojë shumë komunikacionit në Tetovë dhe do të ndikojë gjithashtu edhe në uljen e nivelit të ndotjes” pohoi Ejup Rustemi, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore. Njohësit e fushës së infrastrukturës kanë kërkuar që para hyrjes në Tetovë, në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar të ndërtohet një qarkore e re. Kjo, sipas tyre, do të zgjidhte problemin me shumë automjete të cilat gjatë ditës shfrytëzojnë rrugët brenda qytetit të Tetovës edhe pse destinacion nuk e kanë këtë qytet, por vetëm në mungesë të një qarkoreje, ato e kanë patjetër të shfrytëzojnë rrugët e stërngakuara të qytetit. (koha.mk)

Exit mobile version