Telegrafi

Këtë vit festoi 84 vjetorin e lindjes, por Chuck Norris vazhdon të qëndrojë vital dhe i shëndetshëm

Besoni ose jo, legjenda e filmave aksion, Chuck Norris, festoi 84-vjetorin e tij disa muaj më parë. Megjithatë, sa i ri ndihet, e tregoi me një video të fundit të postuar në rrjetet sociale, ku shihet duke ngritur pesha në palestër. Për dikë që ka kaluar tetë dekada jetë, Chuck Norris duket më energjik dhe i fuqishëm se kurrë.

“Thuhet se kur të përfundoj me ushtrimet, peshat do të kenë nevojë për pak pushim, haha! Shakanë mënjanë, shpresoj që vera juaj po shkon mbarë dhe që i gjithë viti të jetë po aq i mirë”, shkroi ai në përshkrimin e videos, duke shtuar me humor: “Thjesht po ngrohem”.

Pasi u publikua videoja, fansat nuk e humbën rastin për të bërë shaka, duke shtuar një seri komentesh argëtuese që nënvizojnë reputacionin e tij si një figurë e pathyeshme.

“Chuck Norris nuk ka nevojë të ngrejë pesha, ato ngrihen vetë”, “Kjo është një gënjeshtër, ai nuk po ngrohet, por po pushon”, “Peshat janë të frikësuara që janë të rënda”, “Ai është tepër i fuqishëm”, “Chuck Norris nuk ngrohet, peshat e tij ftohen”, “Tërmetet në Kaliforni ndodhën sepse Chuck Norris uli peshat”, “Chuck Norris nuk ngre pesha, ai thjesht e fik gravitacionin”, “Erdha këtu vetëm për komentet, Chuck është ende më i forti”, ishin vetëm disa nga komentet që mbushën seksionin e tij të komenteve.

Chuck Norris u bë i famshëm si një yll i filmave aksion gjatë viteve ’80 dhe ’90. Ai hyri në botën e Hollywood-it pasi u miqësua me legjendën Bruce Lee, duke marrë një rol në filmin ikonik “Enter the Dragon”.

Megjithatë, roli që e ngriti në statusin e një legjende të gjallë ishte ai në serialin “Walker, Texas Ranger”, ku për një dekadë të tërë, ai shfaqi aftësitë e tij të jashtëzakonshme në luftë dhe drejtësi.

Edhe pas kaq shumë vitesh, Chuck Norris vazhdon të jetë një simbol i fuqisë dhe qëndresës, duke mbetur gjithmonë i freskët në mendjet e fansave të tij. /Telegrafi/