Telegrafi

Këtë vit do të shiten mbi 1 miliard pajisje në Android

Sistemi operativ Android, i cili është i instaluar në produktet e bëra nga Samsung, HTC, Sony dhe shumë prodhues të tjerë, parashikohet të arrijë tek 1.1 miliard përdorues të pajisjeve të mençura mobile në vitin 2014, apo 26 për qind më shumë sesa në vitin e kaluar, pasi që kërkesa është e madhe në tregjet e në zhvillim .

Në anën tjetër, iOS i Apple dhe sistemi operativ Mac OS pritet të jenë në 344 milionë iPhone, iPad dhe Mac të rinj këtë vit, deklaron Gartner, duke paraqitur një rritje prej 28 për qind rritje në krahasim me numrin e pajisjeve të shitura në vitin 2013.

Sistemit operativ i Microsoft, Windows, i cili dominon në segmentin e kompjuterëve personal dhe laptopëve parashikohet të jetë në 360 milionë pajisje të reja, nga 328 sa ishte në vitin 2013.

Rritja e kompjuterëve personal dhe laptopëve është goditur nga popullariteti i kompjuterëve tabletë, shitjet e të cilëve parashikohet të rriten deri në 47 për qind këtë vit, për ta arritur totalin e 263 milionë njësive të shitura thuhet sipas raportit të ri të Gartner.

Shitjet e telefonave mobil pritet të vazhdojnë të rriten, por me një ritëm më të ngadaltë, pasi që përdoruesit do të fokusohen më shumë tek telefonat më të lirë, dhe më pak tek modelet e avancuara të telefonave të mençur të cilët janë të kushtueshëm, raporton Reuters. / Telegrafi /