Në Galerinë e Arteve në Ferizaj, të enjten (8 shtator), nga ora 19:00, hapet ekspozita e mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija.
Ekspozita “S’du me t’pa, du me t’ndie” shfaq 60 fotografi, shumica nga cikli i nudove, të realizuara gjatë 20 vjetëve të fundit.
“Një përzgjedhje e vështirë, por e veçantë kur kemi parasysh opusin e tij krijues dhe faktin se sa vëzhgues dhe kërkues është autori, çdo ditë dhe në çdo situatë – qoftë nëse pamja varet nga të tjerët, nga rrethanat apo nga vetë ai”, ka thënë ndër të tjera për këtë ekspozitë, kuratori Agron Shala.
Spahija i mbetet besnik formave tradicionale të realizimit të artit fotografik. Gjithçka në ekspozitë shmanget nga aplikacionet kompjuterike. Spahija shmang edhe dritën artificiale dhe kushtet e studios. Pra, kemi të bëjmë me dritëshkronjë
“Fahredini është pa dyshim njëri nga artistët më të njohur të fotografisë në Kosovë, por ai renditet në mesin e artistëve më të mirë të këtij lëmi në përmasa botërore”, ka thënë më parë për Spahinë, profesori i historisë së fotografisë, fotografi dhe diplomat amerikan Michael McClellan.
Spahija është profesor i fotografisë, autor i shumë ekspozitave kombëtare dhe ndërkombëtare. Ekspozita “S’du me t’pa, du me t’ndie” do të qëndrojë e hapur për dy javë në Galerinë e Arteve në Ferizaj. /Telegrafi/