Nga: Sarah Rosenthal
Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti
Nëse vizitoni një muze që zotëron një koleksion të artit modern dhe atij bashkëkohor, me shumë gjasa do të shikoni vepra që ndonjëherë ju bëjnë të keni reagime të tipit:
“Edhe maca ime mund ta bëjë këtë, pra si mund të jetë kjo art?”
Një lëvizje e quajtur Ekspresionizëm Abstrakt, gjithashtu e njohur edhe si Shkolla e Nju Jorkut, e merr këtë lloj reagimi veçanërisht shumë shpesh. Ekspresionizmi abstrakt filloi në vitin 1943 dhe u zhvillua pas fundit të Luftës së Dytë Botërore. Ai karakterizohet nga piktura të mëdha, kryesisht abstrakte, të mbushura me kompozicione, të cilat duken sikur nuk kanë pika qendrore fokusi dhe ku boja është e përhapur kudo në pikturë, duke shfaqur dhe nxitur emocione.
Grupi i artistëve të cilët konsiderohen ekspresionistë abstraktë, përfshijnë Barnett Newmanin me zinxhirët e tij ekzistencialë, Williem de Kooningun e famshëm për gratë e tij të shpërfytyruara, Helen Frankenthalerin e cila krijoi njollat e bojës, dhe të tjerë. Por, ndoshta më i famshmi, me më shumë ndikim, ka qenë Jackson Pollock. Shumica e pikturave të tij janë menjëherë të identifikueshme. Ato paraqesin lëmshe linjash boje të ndërthurura, që përdridhen vërdallë në çdo cep të kanavacës. Dhe sigurisht, këto fusha kaosi janë të mëdha dhe impresionuese, por çfarë i bën ato kaq të rëndësishme?
A nuk e hidhte ai bojën thjesht në mënyrë rastësore?
A nuk e bën dot këtë çdo njeri?
Përgjigja ndaj këtyre pyetjeve është njëherësh po dhe jo. Ndonëse, Pollock zbatonte një teknikë që teknikisht çdo njeri do të ishte i/e aftë që ta bënte, pavarësisht trajnimit të tyre artistik, vetëm ai mund t’i realizonte pikturat e tij.
Ky paradoks lidhet me rrënjët e punës së tij në vizatimet automatike surrealiste të Andre Masson dhe të tjerë. Këta surrealistë, në mënyrë të supozuar, vizatonin drejtpërdrejtë nga e pavetëdijshmja e tyre për të zbuluar të vërteta të fshehura brenda mendjes. Me raste, në vend të përfytyrimit të diçkaje dhe më pas të vizatimit të saj, ata lejuan që duart e tyre të lëviznin në mënyrë automatike, dhe më vonë ata ngacmonin me humor figura të njohura për ta, që shfaqeshin në shkarravinat e tyre.
Pasi Pollock u largua nga përfaqësimi, ai u mor me piktura që ai i realizonte nëpërmjet pikimit të bojës nga një shkop ose nëpërmjet veprimeve të tij aktive, të cilat kishin një premisë të ngjashme, megjithëse ai zhvilloi një teknikë firmë, vulë që lidhej vetëm me të dhe nuk kërkoi kurrë për imazhe ose mesazhe të fshehura në punën e tij.
Në fillim, ai e merrte kanavacën nga këmbaleci dhe e shtrinte atë në dysheme, një akt shkatërrues në vetvete. Pastaj në një vallëzim të kontrolluar ai hynte në të gjithë kanvacën, duke hedhur bojë industriale në të nëpërmjet shkopave dhe mjeteve të tjera, duke ndryshuar shpejtësi dhe drejtim për të kontrolluar se si piktura hynte në kontakt me sipërfaqen. Këto lëvizje, ashtu si shkarravinat e surrealistëve, në mënyrë të supozuar, kishin lindur nga pavetëdija e Pollock-ut. Por, ndryshe nga surrelaistët, pikturat e të cilëve përfaqësonin përmbajtet e fshehura të mendjes, Pollock shfaqte manifestimet fizike të psikikës së tij. Pikturat e tij janë në vetvete firma të mendjes së tij. Në teori, çdo njeri do të ishte në gjendje të bënte një pikturë që buron si një gjurmë nga mendja e tij/saj.
Pra, çfarë e bën Pollockun kaq të veçantë?
Është e rëndësishme të kujtojmë se ndërsa çdo njeri do të kishte qenë në gjendje të bënte atë që bëri ai, ai dhe pjesa tjetër e Shkollës së Nju Jorkut ishin në fakt ata që i bënë këto piktura. Ata shkatërruan traditën e pikturimit që qëndronte në këmbë për shekuj, duke detyruar botën e artit që t’i rishikonte ato krejtësisht nga fillimi.
Por, një arsye e fundit përse Jackson Pollock ka mbetur një figurë dominuese, buron nga objektet specifike që ai bëri, të cilat përmbajnë kontradikta magjepsëse. Për shembull, ndërsa procesi i Jackson Pollockut, rezultoi në sipërfaqe të pikturuara të shesha radikale, rrjetat e linjave të pikturuara mund të krijojnë iluzionin e një thellësie të shtresëzuar pafundësie kur ato ekzaminohet nga afër. Duket sikur kaosi i këtij lëmshi të koklavitur e shpërfill kontrollin, por në fakt, ai është produkt i një procesi të qëllimshëm, megjithëse, jo të planifikuar.
Këto karakteristika e bënë Pollockun njeri të famshëm dhe brenda historisë së artit, ai u ngrit gjithashtu në një status të mitifikuar, atë të artistit gjeni, si hero. Fatkeqësisht puna e tij përforcoi aspektin jetëgjatë elitist të artit. Elitiste, novatore, apo çfarëdolloj gjëje që zgjidhni ta quani atë, historia që përfshihet në Ekspresionizmin Abstrakt, është i tillë saqë asnjë mace, pavarësisht se sa e talentuar që mund të jetë ajo, nuk mund ta deklarojë si mjeshtëri të vetën. /Defekt Teknik/