Rektori, Marjan Dema, ka paralajmëruar se brenda javës do të propozojë pesë emra për prorektorë, të cilët do të jenë bashkëpunëtorët e tij. Prorektorët e përmendur janë emra që vijnë nga fusha e politikës apo të afërt me partitë politike.
Universiteti i Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” të premten do të caktojë se kush do të jenë prorektorët e këtij Universiteti.
Në këtë Universitet pozita e pesë prorektorëve ka mbetur e zbrazët edhe pse janë bërë dy javë prejse rektori i ri, Marjan Dema, ka marrë detyrën.
Sipas Statutit të UP-së, rektori propozon listën e emrave për prorektorë nga radha e profesorëve të Universitetit, pasi të jetë konsultuar me Senatin.
Prorektorët zgjidhen nga Këshilli Drejtues me shumicën absolute të votave, në një radhë votimi.
Në Statut sqarohet se nëse kandidati i propozuar nuk zgjidhet, atëherë rektori ka të drejtë të propozojë kandidatin e ri. Mandati i prorektorëve është i lidhur me atë të rektorit.
Rektori Marjan Dema ka thënë për “Zërin” se tash për tash brenga e tij është që të formojë ekipin me të cilin do të punojë.
“Jam në kërkim të emrave për prorektorë dhe e kam primare”, ka thënë Dema pa dashur të përmendë emrat e atyre që do të propozojë, ndërsa ka premtuar se kjo çështje do të mbyllet të premten.
“Të premten do të emërohen prorektorët, do të shkojë gjithçka në rregull”, ka thënë ai. /Zëri/