Aktorë, këngëtarë, sportistë e fytyra të tjera publike, përveç kontributit të tyre në sferën e artit, të premten me 22 prill, në Ditën Ndërkombëtarë të Tokës, do t’i ofrojnë kontribut Kosovës edhe në mbrojtjen e ambientit.
Në një komunikatë për media, Iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën”, bën të ditur se aksioni me artistë do të realizohet në bashkëpunim me vullnetarët e Iniciativës
“Let’s Do It Kosova”, të cilët do të mobilizohen me 22 prill, ku të gjithë së bashku do të marrin pjesë në një aktivitet simbolik, i cili do të konkretizohet me largimin e mbeturinave nga “rruga B” në kryeqytet, aksion ky i cili do të realizohet në orën 13:00, ditën e premte.
“Këtë aksion me pjesëmarrje do ta nderojë shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ndërsa Sabri Fejzullahu, Hysni Klinaku, Sevdai Radogoshi, Violeta Kajtazi, Naim Abazi dhe pjesëtarët e Ansamblit “Shota”, janë në mesin e artistëve të shumtë, të cilët do të mobilizohen për një Kosovë të pastër, me shpresë se aktivitete të tilla mobilizuese do të ndikojnë që qytetarët të vetorganizohen nëpër lagjet ku jetojnë për t’i pastruar mbeturinat, sepse duke pastruar lagjen tonë, ne kontribuojmë në pastrimin e Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Përveç aksionit me artistë, për nder të 22 prillit do të realizohen edhe aksione të tjera, në Istog, në fshatin Bardhosh, Në fshatin Dobrusht – Vërmicë ku do të merr pjesë edhe Ministri i Mjedisit, Ferid Agani, dhe të nesërmen do të mbahet aksion pastrimi në akset rrugore në Stantërg Shalë dhe Stantërg Vllahi.