Site icon Telegrafi

Me këta politikanë që i kemi, patriotizmi më i madh është të ikësh nga Kosova

Ti, që po lexon këta rreshta:

– Nëse e do Kosovën;

– Nëse vuan për Kosovën;

– Nëse s’do ta krahasoje asnjë vend me Kosovën;

– Nëse dëshiron që Kosova të jetë ndjenja më e ëmbël e jetës sate;

– Nëse je ende nën moshën 50-vjeçare;

– Nëse e ke një trohë shkollë (nuk thashë diplomë shkolle);

– Nëse e ke një profesion, zanat, profil, zeje…

– Nëse ende nuk je korruptuar (në masë të madhe dhe të pakthyeshme);

– Nëse ende je energjik, i shëndetshëm dhe i gatshëm për punë e për jetë;

– Nëse ende nuk je dëshpëruar;

– Nëse me ndonjë mënyrë (vëzhgim, lexim, dëgjim, kombinim të tyre apo çfarëdo mënyre) e ke aftësinë ta kuptosh – sadopak – gjendjen në vendin tone;

– Nëse ende ke pak dinjitet dhe ende je i lirë (së paku, në shpirt);

– Nëse je, apo përpiqesh të jesh i moralshëm;

– Nëse nuk je politikan, militant, vegël dhe dorë e zgjatur e politikës;

– Nëse nuk je pjesëtar (i hapur apo – më parë – i fshehur) i ndonjë shërbimi sekret;

– Nëse nuk je hajn, kriminel, pjesëtar bande apo grupi të krimit të organizuar;

– Nëse nuk je biznesmen që operon me para të pista dhe shfrytëzon djersën e shqiptarit të ngratë deri në nivelin absurd dhe të paimagjinueshëm;

– Nëse nuk ke blerë një titull, akademik, ushtarak apo “patriotik”;

– Nëse ende nuk je çmendur.

Atëherë, mos u vono asnjë minutë: Ik nga Kosova! Ik menjëherë, fill, urgjentisht!

Ik nga Kosova!

Sepse, nëse nuk do të ikësh nga Kosova, ke gjasa të mira, gati të sigurta, se:

– Do të fillosh të mos e duash Kosovën;

– Do të fillosh ta harrosh ëmbëlsinë që ta jep ky vend i bekuar nga Zoti;

– Dija, arsimimi, edukimi, zanati, zeja, përgatitja jote profesionale do të shkojë dëm, do të venitet, do të zhduket…; kurrë pa u shfrytëzuar, definitivisht kurrë pa u respektuar;

– Do të korruptohesh;

– (Mos u hidhëro, mos u mrrol, mos u nervozo… prapë po të them…; herëdokurdo), do të korruptohesh;

– Shëndeti, disponimi, energjia, elani për të punuar për këtë vend dhe për vete e të dashurit tuaj do të venitet, do të ligështohet, do të zhduket;

– Do të përfundosh i dëshpëruar, ndoshta në mjerim dhe në fatalizëm;

– Do të fillosh të mos e kuptosh çfarë po ndodh rreth teje, gjendjen në vend; do të fillosh të relativizosh çdo gjë; do të fillosh të mos dallosh se çka është mirë e çka është keq, çka është e moralshme dhe çfarë jo;

– Do të humbasësh dinjitetin dhe lirinë tënde;

– Do të bëhesh, direkt apo indirekt, dorë e zgjatur, vegël, militant i politikës (politikës që nuk e ke dashur kurrë, është fjala!);

– Duke e ditur apo duke mos e ditur, do të jesh në rrezik permanent, t’i shërbesh një shërbimi që nuk ia do të mirën vendit tand;

– Do të bëhesh hajn, kriminel apo pjesëtar i krimit të organizuar;

– Do të keqpërdorësh, deri në nivel absurdi, djersën (apo, edhe gjakun) e shqiptarit ose djersa jote do të keqpërdoret deri në nivelin e absurdit;

– (Herëdokur, por me siguri) Titujt dhe ofiqet tua do të sjellin neveri dhe aversion të përgjithshëm, madje edhe vet do të ndjesh neveri dhe përbuzje ndaj atyre titujve të blerë;

– Do të çmendesh,…; po, do të çmendesh;

Ndërsa, nëse do të ikësh sot, sonte, menjëherë, sa më shpejt që mundesh nga Kosova, ke gjasa shumë të mira, gati të sigurta, se:

– Do të vazhdosh ta duash Kosovën;

– Do të vazhdosh të kesh ëmbëlsinë e emrit të Kosovës së bekuar;

– Do të respektohet (dhe ti do ta shfrytëzosh e do t’i vjelësh frytet) dija jote, zanati, profesioni, djersa;

– Do të kesh mundësinë të shohësh dhe të jetosh një jetë, ku korrupsioni të mos jetë pjesë e përditshme dhe absolute e çdo hapi;

– Shëndeti, disponimi, energjia, elani për të punuar do të jenë pjesë e jotja deri në pleqërinë e thellë;

– Do të jesh plot vullnet dhe disponim për punë dhe për jetë;

– Do ta mbash kthjelltësinë e mendjes, së paku për të dalluar të mirën nga e keqja, të moralshmen nga e pamoralshmja, të dobishmen nga e kota;

– Do ta mbash dinjitetin njerëzor dhe lirinë tënde;

– Do të kesh mundësi reale të jetosh jetën tënde, larg politikës, spiunllëkut, militantizmit shterp dhe pozicionimit permanent në politikë;

– Do të jesh (nëse do) larg hajnisë, korrupsionit, krimit të organizuar;

– Do të kesh mundësi reale që djersën tënde ta përkthesh në vlerë, monetare, nëse është e mjaftueshme kjo;

– Nëse ti dhe fëmijët tuaj do të fitojnë një titull apo ofiq, do të shohësh vlerën e vërtetë të tyre në jetën e njeriut;

– Do të kesh mundësi të ruash shëndetin mendor.

Edhe një herë, nëse do të ikësh nga Kosova, do të vazhdosh ta duash Kosovën. Do të jesh pjesë e diasporës – më mirë gjuhësisht të thuhet mërgatës shqiptare, e cila është paradoksalisht ende, çelësi i ekzistencës së shqiptarëve në Ballkan. Dhe, ç’është me rëndësi, do të vazhdosh të punosh edhe atje larg ku je, për Kosovën. Dhe, kjo nuk do të ishte hera e parë për shqiptarët.

Studiuesja e njohur, Nathalie Clayer në librin e saj monumental “Në fillimet e nacionalizmit shqiptar”, tregon qartë, me qindra faqe dhe me mijëra fakte se pa mërgatën shqiptare – atëherë të shtrirë ndryshe gjeografikisht – nuk do të kishte komb shqiptar, nuk do të kishte çështje shqiptare, nuk do të kishte Shqipëri.

Sado paradoksale dhe anakronike, jam i bindur se mërgata është garanca edhe për Kosovën.

Një herë, mërgata e shpëtoi Kosovën që të mos zhduket emri i saj. Tash kur gjithçka është kalbur në këtë vend dhe kur kontributi, përpjekja, djersa e gjaku i diasporës bashkë me djersën, gjakun, shpresën e ëndrrën e shqiptarëve të Kosovës, është tradhtuar, shpëtimi dhe shpresa e vetme është mërgata jonë.

Për shkak se Kosova është tradhtuar, nga diaspora duhet të rilindë gjithçka.

Nga fillimi!

Prandaj, ti që po lexon këta rreshta:

– Ik nga Kosova;

– Ik, menjëherë, sepse s’ka patriotizëm më të madh se sa të ikësh nga Kosova!

Dhe, po e përsëris: Kështu si erdhën gjërat, e vetmja mundësi që ta duash Kosovën, është të largohesh, të ikësh nga ajo.

Menjëherë!

Exit mobile version