Kastriot Matoshi dhe gruaja e tij, janë dy prej tre kosovarëve të arrestuar dje nga autoritetet e Belgjikës, nën dyshimin se kanë qenë pjesë aktive të një grupi terrorist që rekrutonte dhe financonte xhihadistë për të luftuar për grupimin terrorist ISIS.
Derisa mediet belge kanë raportuar se në aksionin e së mërkurës janë arrestuar tetë kosovarë, burime të “IndeksOnline” bëjnë të ditur se deri tani autoritetet kosovare janë në njohuri se vetëm tre prej të arrestuarve janë nga Kosova.
“IndeksOnline” mëson se Kastriot Matoshi, nga fshatin Velekincë të Gjilanit, i cili dje ra në prangat e autoriteteve belge, është vëllai i Patriot Matoshit, i vrarë në gusht të vitit 2014 përkrah grupit terrorist ISIS.
Patriot Matoshi ishte njeri më i afërt i liderit të dikurshëm të luftëtarëve shqiptarë në grupin paramilitar të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS), në luftë në Siri e Irak, Lavdrim Muhaxherit.
Përveç këtij të fundit, Matoshi kishte lidhjet më ish-imamin e xhamisë El-Kuddus në Gjilan, Zekirja Qazimi, të cilit Gjykata e Apelit para dy javësh ia ka vërtetuar dënimin prej 10 vjet burgim për rekrutim në terrorizëm dhe nxitje të urrejtjes.
Patriot Matoshi ishte vetëm 19-vjeçar kur u qëllua nga një snajper pasi kishte muaj të tërë që ishte pjesë e grupit terrorist ISIS.