Me eliminimin e njërit nga komandantët kryesorë të Shtetit Islamik (IS), Omar al-Shishan ndryshe i njohur si Omar Çeçeni, forcat e armatosura të koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara nuk e kanë përfunduar punën e tyre në Siri.
Në mënyrë që të shuajnë plotësisht këtë organizatë terroriste, ata duhet të merren edhe me disa udhëheqës tjerë, transmeton Telegrafi.
Mësoni se kush janë njerëzit shkaku i të cilëve Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, janë bërë aleatë në luftën kundër Shtetit Islamik.
Abu Bakr al-Baghdadi
Udhëheqësi i Shtetit Islamik është personi për të cilin Departamenti i Shtetit, ka ofruar një shpërblim prej 10 milionë dollarë për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij. Ai luan rolin kyç në rekrutimin e mijëra anëtarëve të rinj në ISIS.
Ai ka doktoruar në Universitetin e Bagdadit. Njerëzit të cilët e kanë njohur gjatë studimeve, thonë se gjatë rinisë së tij nuk ka treguar aftësi të liderit. Ka qenë shumë i qetë, i mbyllur dhe modest, por gjithmonë aktiv në futboll.
“Ai ka shkëlqyer në fushë, ishte Messi ynë. Ka luajtur futboll më mirë se të tjerët”, e kujton kolegu i tij i fakultetit, Ahmad Dabas.
Abd al-Rahman Mustafa al- Kadul
Ky është anëtari më i vjetër dhe më me përvojë i ISIS-it. Kësaj organizate terroriste i është bashkuar në vitin 2012 pasi u lirua nga një burg irakian. Nga viti 2004 ka qenë anëtarë i Al-Kaedës, ku ka qenë nën komandën e tashmë të vrarit Abu Musab al-Zarqawi.
BBC raporton se ai ka marrë rolin e liderit të ISIS që kur al-Baghdad u plagos në sulmet ajrore gjatë muajit mars. Së fundmi është shfaqur një informacion se është vrarë gjatë luftimeve në Tal Afar në Irak, por Departamenti amerikan i Drejtësisë, vazhdon të ofrojë 7 milionë dollarë për çdo informacion në lidhje me të.
Abu Mohammed al-Adnani
Al-Adnani është zëdhënësi i Shtetit Islamik, dhe njëri nga anëtarët më të shquar të kësaj organizate terroriste. Al-Adnani ka qenë personi i parë që zyrtarisht ka deklaruar rreth formimit të Kalifatit. Nga viti 2005 deri në 2010 ka qenë i burgosur në kampin Buka, njësi e paraburgimit të ushtrisë amerikane në Irak. Koka e këtij siriani është vlerësuar në 5 milionë dollarë. /Telegrafi/