Me kërkesë të partisë maqedonase në opozitë, është mbledhur seanca e Kuvendit të Maqedonisë për të diskutuar gjendjen pas vërshimeve që morën jetën e së paku 22 personave dhe përmbytën mbi 5 mijë shtëpi në disa vendbanime të fshatrave në rrethinë të Shkupit, njofton REL.
Partia maqedonase në opozitë Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë ka kërkuar që menjëherë të fillohet me ndarjen e mjeteve financiare për çdo familje për të filluar me rekonstruktimin e shtëpive edhe atë të ndahen rreth 50 metra katrorë për shtëpitë e përmbytura .
“Ne jemi dëshmitarë se reagimi i institucioneve të shtetit ishte shumë i ngathët mos them fare i ngadalshëm. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ku janë të punësuar qindra punonjës duhej të kishin një plan se si të reagohet menjëherë brenda një ore dhe jo pas katër ditë të plota të kyçen institucionet e shtetit seriozisht për të ndihmuar dhe sanuar dëmet”, tha deputeti i LSDM-së Bllagoja Stojanovski duke kërkuar përgjegjësi nga drejtësuesit e institucioneve shtetërore për numrin e madh të viktimave për mos kryerjen e detyrave në mënyrë profesionale.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë i cili njëkohësisht e kryen dhe detyrën e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, tha se institucionet nuk janë përgjegjëse sepse bëhet fjalë për një fatkeqësi natyrore e cila nuk mund të parandalohej.
“Sipas ekspertëve ishte e paparashikueshme moti i ligë. Ishte katastrofë natyrore thoshin ata. Para fuqisë së natyrës nuk ka mbrojtje. Shteti me të gjitha forcat dhe organizatat vullnetare maksimalisht u munduan ta kthejnë vendin në gjendje normale. Gjatë këtyre ditëve isha dëshmitarë i vullnetarizmit të pashoq të funksionarëve shtetërorë që ndihmuan në terren. Disa po tentojnë të krijojnë ndarje te qytetarët, tash më së paku na duhen ndarje, qofshin etnike apo partiake”.
“Duhet të shpërndajmë solidaritet”, tha Todorov duke theksuar se të gjithë atyre që u kanë shkartuar dëme vërshimet do tu kompensohen 100 për qind, ndërkohë siç tha, janë evakuuar rreth 1 mijë persona nga ky rajon.
Edhe ministri i ambientit jetësor, Bashkim Ameti tha se punohet intensivisht në të gjitha vendbanimet e vërshuara gjatë së shtunës në mbrëmje nga të reshurat e rrëmbyeshëm ndërkohë që njësite të specializuara por edhe vullnetarë janë kyçur në gjetjen e vajzës së vogël gjashtëmbëdhjetë muajsh e cila llogaritet si e zhdukur.
“Dua të potencoj se katër ditët e fundit kemi vendosur një regjim pune në tri turne, dhe në teren mund të them se punohet pa ndërprerë 24 orë të plota. Ditëve të fundit gjithashtu ka filluar dhe procesi i vlerësimit të dëmeve dhe mund të them se mbi 50 për qind e shtëpive të dëmtuara janë vizituar nga ekipet e vlerësimit, përpos shtëpive të dëmtuara do të dëmshpërblehen dhe gjërat e luajtshme si dhe automjetet që u dëmtuan gjatë vërshimeve” tha ministri Ameti.
Përderisa, deputetët e partisë shqiptare në opozitë, Partisë Demokratike Shqiptare thanë se vërshimet që morën dhe jetë njerëzish janë si pasojë e mos investimeve në infrastrukturë si ndërtimi i kanaleve dhe kanalizimeve, ndërtimin e shtretërve të lumenjëve.
Ndryshe në fshatrat e rrethinës së Shkupit, Hasanbeg, Stajovc, Stracincë dhe Haraçin është në rritje numri i të infektuarve nga bakteriet./Telegrafi/