Pas publikimit të pamjeve të vjedhjes në shitoren për teknologji nga hajnat me maska dhe të armatosur që po operojnë në vendbanimet shqiptare, gazeta Koha ka siguruar edhe pamjet e vjedhjes javë më parë të bastores “Sport Life” në Çair.
Persona më veshje të njëjtë, të armatosur me kallashnikovë dhe pistoleta, futen në bastore, ndërsa armët u drejtojnë të pranishmëve dhe vajzës që punon aty. Pasi marrin fitimin ditor, personat largohen me shpejtësi, ndërsa jashtë priten nga një veturë, e cila është gati për t’u nisur – kuptohet, gjithmonë pa targa ose targa të mbuluara.
Policia, edhe pse nuk i ka kapur akoma hajnat që po tmerrojnë shqiptarët e Shkupit, dyshon se ky grup është autor edhe i vjedhjes se Postës në lagjen Veri po në Çair dhjetorin e vitit të kaluar. Vjedhjet, siç thuhet në raportet ditore të policisë, kryhen në pasdite ose kryesisht në mbrëmje sapo bie terri.