E diela e gjeti ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. 6 muaj nga nisja e hetimeve për të, gjyakata vendosi që ai të mos dalë nga banesa.
Ballkoni i saj është i vetmi mjedis ku Saimir Tahiri mund të ketë kontakt me dritën e diellit. Pothuajse të gjithë paraditen e së dielës, ish-ministri i Brendshëm qëndroi atje, pasi banesa e tij gjendet pranë Kopshtit Botanik në kryeqytet.
Kafe, cigare, biseda në celular dhe rileximi i vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda ishin veprimet e ish-ministrit, të cilit tashmë i është kufizuar liria.
Vendimi i gjykatës pritet të apelohet në fillim të javës nga avokatët e Sajmir Tahirit, të cilët do të kërkojnë një masë më të lehtë sigurie, por edhe nga prokuroria, e cila kërkon masën e sigurisë “arrest me burg”. Vendimi i zbardhur i gjykatës nuk është bërë publik për mediat, ndërsa burime nga organi i akuzës pretendojnë se prokuroria ka paraqitur fakte dhe prova të reja, bazuar në disa letër-porosi.
Nga ana tjetër, përfaqësues pranë ish-ministrit Tahiri thonë për Top Channel se, përveç deklarimeve të shoferit tw ish-ministrit dhe deklarimeve të ish-zv/ministres Elona Gjebrea, në kërkesën e prokurorisë nuk kishte asgjë të re.
Masa “arrest në shtëpi” për ish-ministrin e Brendshëm u caktua si person i dyshuar për trafik narkotikësh në bashkëpunim me grupin e njohur Habilaj dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë.