Telegrafi

Kështu i fshehu 52 pakot me heroinë në kamionin e druve (Video)

Një sasi e madhe heroine, prej 30 kg që nëse do hidhej në treg kapte vlerën e 10 milionë eurove është kapur mbrëmë në portin e Durrësit. Në pranga ka rënë 45 vjeccari A. Kryemadhi nga Elbasani, ndërsa po punohet për zbulimin e grupit të narko-trafikut.

Policia tha droga u gjet gjatë mbrëmjes së të enjtes, rreth orës 23:40 në kamionin “Skania” me targa AA 618 JR dhe rimorkio ADR 186, me drejtues shtetasin A. Kryemadhi 45 vjeç.

Nga kontrolli në skaner ka rezultuar se në tavanin e karrocerisë kishte disa pako të dyshimta.

Specialistët e Narkotikëve kanë ushtruar kontroll të imtësishëm ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 52 pako me peshë rreth 30 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë.

Rastet e trafikimit të lëndëve narkotike me mjete të ndryshme, kryesisht kamionë, përmes portit të Durrësit kanë qenë të shpeshta këtë vit. Trafikantët, në pjesën më të madhe të rasteve janë kapur duke transportuar kanabis sativa me sasi të mëdha prej qindra kilogramësh, ndërsa rasti i mbrëmshëm i heroinës është një sasi rekord të sekuestruar në port. /Telegrafi/