Site icon Telegrafi

Kështu falen borxhet ndaj ATK-së

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka filluar me zbatimin e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike. Ky ligj sipas ATK-së, ka paraparë faljen e borxheve publike ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, si dhe përcaktimin e kritereve dhe procedurave për faljen e këtyre borxheve, që personat fizik dhe juridik kanë për periudhën deri më 31 dhjetor 2008.

ATK, ka identifikuar të gjithë personat që kanë obligime të pashlyera dhe që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike për periudhën deri me 31 dhjetor 2008.

“Nga falja e borxheve publike për periudhën deri 31 dhjetor 2008, sipas këtij Ligji përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, me kusht që të njëjtit: të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 01 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014. Pagesa e plotë e kryegjësë mund të bëhet kurdoherë brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi e Ligjit, respektivisht deri më 2 Shtator 2016”, ka njoftuar ATK-ja, shkruan Telegrafi.

Personat e këtillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri me 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër që rrjedh nga mos pagesa me kohë e borxhit bazë për periudhën 1 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014.

“Në çoftë se nuk kryhet pagesa e plotë, personat e këtillë mund të lidhin marrëveshje me Administratën Tatimore të Kosovës kurdoherë brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi e Ligjit, respektivisht deri më 2 shtator 2016, për pagesën e borxheve me këste për periudhën 1 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014. Në rastin kur arrihet marrëveshja, këta persona, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri me 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e ndëshkimeve për periudhën 1 janar 2009 deri me 31 dhjetor 2014”, theksohet në njoftimin e ATK-së për mediat.

Personat të cilët lidhin marrëveshje dhe nuk respektojnë kushtet e marrëveshjes, Administrata Tatimore e Kosovës, të njëjtit do t’i vendos në listën e borxheve, duke i bërë obligues për të gjitha borxhet e mbetura sipas kërkesave ligjore që kanë qenë të zbatueshme para lidhjes së marrëveshjes.

“Borxhet e pashlyera deri me 31 dhjetor 2008, ku shuma totale e borxhit bazë është në vlera të vogla prej 1 deri në 100 euro, do të fshihen në mënyrë automatike”, bënë të ditur ATK-ja.

Subjektet që mund të përfitojnë nga falja e borxheve publike sipas këtij Ligji, këtë të drejtë mund ta realizojnë brenda periudhës prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Kërkesën për pjesëmarrje në programin për faljen ë borxhit publik, mund ta gjeni në zyrën përkatëse regjionale të Administratës Tatimore të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version