Telegrafi

Kështu është bllokuar magjistralja Kaçanik-Hani i Elezit: Rrezikohen qytetarët, rrezikohen bizneset (Foto)

Në magjistralen Kaçanik – Hani i Elezit është bllokuar rruga pasi që është shembur dheu dhe kanë rënë disa gurë në rrugën kryesore.

Rruga ishte e bllokuar dhe askush nuk ka mundur të kaloj. Për shkak të kësaj, njësitë përkatëse kanë intervenuar me kohë dhe e kanë hapur rrugën.

Ky bllokim rruge po sjell humbje të shumta për bizneset, pasi lidh Kosovën me Maqedoninë.

Skender Kuka, menaxher regjional për mirëmbajtjen sezonale për Ferizaj 1, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë rrugën alternative, tek Fusha e Pajtimit në Glloboshivcë. Ndërsa, Xhevahir Lenjani, qytetar nga Hani i Elezit, tha se në këtë pjesë ka çdoherë probleme të tilla, dhe se rastet e rrëshqitjes rrezikojnë shpesh edhe jetët e qytetarëve.

Nga ky bllokim, kamionë të tërë kanë mbetur të bllokuar në Doganat e Kosovës. Këtë e thotë për KosovaPress edhe Përparim Syla, i cili është duke pritur që nga mbrëmë. Ai thekson se biznesi i tij do të dëmtohet, pasi pemët dhe perimet janë të paqëndrueshme.