Në fillim të muajit shkurt u rrëzua ‘muri’ në veri të Mitrovicës, për tu ndërtuar dy të tjerë. Mirëpo, këto dy ‘mure’ sipas projektit të Komunës së Mitrovicës veriore pritet të shërbejnë si vazo për mbjellje të luleve.
Ky projekt shihet të jetë në përfundim e sipër, bashkë me revitalizmin e urës së Ibrit në Mitrovicë.
Ndërkaq, në krahasim me murin e kaluar i cili ishte më i lartë se një metër, këto dy mure janë të larta 70 centimetra. Ndërsa, në anësore të dy ‘mureve’ do të ketë shkallë për kalim të këmbësoreve.
Natalya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Prishtinë, në kohën kur ishte rrëzuar muri pati njoftuar se muri i ri do të ketë konstruksion tjetër.
“Bashkësia ndërkombëtare do ta mbështesë çdo iniciativë. Nuk do të ketë më mure, por do të ketë një konstruksion tjetër. Do të jenë disa shtylla metalike që do të pengojnë qasjen e automjeteve në sheshin i cili do të jetë shumë i bukur”, ishte shprehur Apostolova.
Edhe, Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, pati potencuar se pas rrëzimit të murit do të ndërtohet një strukture betoni mbështetëse dhe të fortë në lartësi prej 70 centimetrash dhe gjerësi prej 120 centimetrash, e cila sipas tij do të “garantojë sigurinë për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së veriut”./Telegrafi/