Site icon Telegrafi

“Kështu duket demokracia” – mijëra qytetarë në mbarë SHBA-në protestojnë kundër politikave të Trumpit

Mijëra demonstrues u mblodhën në qytete anembanë SHBA-së për të protestuar ndaj veprimeve të hershme të administratës Trump, duke dënuar gjithçka, nga shtypja e imigracionit të presidentit deri te kthimi i të drejtave transgjinore dhe një propozim për të transferuar me forcë palestinezët nga Rripi i Gazës.

Qindra protestues në Austin marshuan me pankarta në duar duke brohoritur “Kështu duket demokracia”.

Ndërsa protestuesit në Filadelfia dhe në Kaliforni, Minesota, Michigan, Wisconsin, Indiana dhe më gjerë, tundnin shenja që denonconin presidentin Donald Trump, miliarderin Elon Musk dhe Projektin 2025.

Bëhet e ditur se protestat ishin rezultat i një lëvizjeje që është organizuar në internet me hashtags #buildtheresistance dhe #50501, që do të thotë 50 protesta, 50 shtete, një ditë, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Uebsajtet dhe llogaritë nëpër rrjete sociale lëshuan thirrje për veprim, me mesazhe të tilla si “refuzoni fashizmin” dhe “mbroni demokracinë tonë”.

Demonstratat në disa qytete grumbulluan kritika ndaj Musk dhe Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë.

“DOGE nuk është i ligjshëm,” shkruhej në një poster në shkallët e Kapitolit.

Raportohet se anëtarët e Kongresit kanë shprehur shqetësimin se përfshirja e DOGE me sistemin e pagesave të qeverisë amerikane mund të çojë në rreziqe sigurie ose pagesa të humbura për programe të tilla si Sigurimet Sociale dhe Medicare.

Ndryshe, Trump ka nënshkruar një sërë urdhrash ekzekutivë në dy javët e para të mandatit të tij të ri për gjithçka, nga tregtia dhe imigracioni te ndryshimet klimatike.

Ndërsa demokratët fillojnë të ngrenë zërin në kundërshtim me agjendën e Trump, protestat janë rritur. /Telegrafi/

Exit mobile version