Politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq, e emëruar sot nga kryeministri Albin Kurti këshilltare e ministrit të sapoemëruar të Kosovës për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se politika e Vuçiqit dhe Radoiçiqit, nuk do të kenë ndikim në punën e saj dhe të Rashiqit dhe se një nga prioritetet e saj do të jetë ” thyerja e monopolit të Listës Serbe ndaj promovimit mental të serbëve”.
Në një deklaratë për portalin “KoSSev”, pas emërimit të saj si këshilltare, Trajkoviq thotë se interesat e saj janë të fokusuara në tri fusha: “mbështetje dhe vëmendje e barabartë ndaj serbëve që jetojnë në jug dhe në veri të Ibrit, si dhe të atyre që janë dëbuar, dhe duan të kthehen, pastaj transparenca në dialog, dhe prioriteti i tretë është ‘thyerja e monopolit të Listës Serbe ndaj promovimit mental serbëve’”.
Duke folur konkretisht për punën e ish-ministrit Rakiq, paraardhësin e Rashiqit, Trajkoviq thotë se puna e Goran Rakiqit ishte vepër e Milan Radoiçiqit, transmeton Telegrafi.
“Radoiçiq nuk do të ketë më asnjë ndikim në atë që po bëhet. Kjo është gjëja më e rëndësishme, të përjashtohen elementet kriminogjene nga puna jonë”, ka vlerësuar Trajkoviq.
Në të njëjtën kohë, Trajkoviq thekson se tash e tutje nuk do të ketë ndikim as politika e presidentit serb Vuçiq.
“Megjithatë, përmes zotit Rashiq dhe asaj që mekanizmat e mi do të kenë ndikimit mbi të, politika e Vuçiqit nuk do të ketë asnjë ndikim tek ne. Iu është marrë një pjesë e ndikimit, kjo është një punë e madhe për mua”, pohon Trajkoviq.
Gjithashtu këtë situatë ajo e sheh si fillim ose një përpjekje për të inkurajuar njerëzit që të ndryshojnë qeverinë në Beograd./Telegrafi/