Blerim Latifi, këshilltari i kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli i ka dalë në mbrojtje këtij të fundit pasi që emri i tij u përmend në një video incizim për marrjen e 200 mijë eurove për fajde.
Përmes një postimi në Facebook, Latifi ka shkruar se këto goditje po ia bëjnë me qëllim që Veseli të tërhiqet nga themelimi i Tribunalit për krimet serbe.
“Tepër inteligjente, për të qenë e rastësishme. Tri goditje, për një qëllim: ta ndalin, ta bëjnë të heqë dorë nga diçka prej të cilës asnjë komb nuk mund të heqë dorë, dënimit të atyre që urdhëruan e zbatuan gjenocidin kundër tij”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë:
Në fillim doli lajmi i rremë: ka shkuar në Hagë! Pastaj fotoja e rreme: për t’ia diskredituar idenë e Tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë! Pastaj videoja e rreme: për t’ia nxirë emrin para qytetarëve. Tepër inteligjente, për të qenë e rastësishme. Tri goditje, për një qëllim: ta ndalin, ta bëjnë të heqë dorë nga diçka prej të cilës asnjë komb nuk mund të heqë dorë, dënimit të atyre që urdhëruan e zbatuan gjenocidin kundër tij. Tri goditje dhe tri heshtje që kanë emrat Polici, Prokurori dhe AKI. Dhe një shtet që nuk funksionon! /Telegrafi/