Hans Joachim Falenski, Këshilltar politik i grupit parlamentar i partisë CDU në Bundestag, dha një mesazh të fortë përpara ditës së zgjedhjeve. Ai theksoi se Rama ka luajtur rolin sikur po luftonte drogën, por e vërteta ishte ndryshe. “Ne fillimisht ndjenim acarim, kur Basha vinte e na tregonte historitë me drogë. Thonim si vinte një kryeopozitarë e fliste kështu për vendin e tij. Por, kur pamë shifrat e kuptuam problemin dhe themi se në krye të qeverisë pas 25 qershorit duhet të jetë Basha dhe qeveria Rama duhet të largohet”, u shpreh Falenski.
Këshilltari i Angela Merkel, Hans Joachim Falenski, vlerësoi sot programin ekonomik të Partisë Demokratike, si efikas, të realizueshëm e që do të vërë në lëvizje ekonominë shqiptare.
Ky program, tha Falenski, funksionon çdo ditë në Gjermani, krijon vende pune, dhe do funksionojë edhe në Shqipëri.
Deklaratat e këshilltarit të Angela Merkel, u bënë sot paradite gjatë një takimi të organizuar nga PD me qytetarë të Durrësit. “Qeveria Rama duhet të ikë dhe kjo është më e thjesht dhe më e mira. Socialistët nuk mund të bëjë ekonomi dhe nuk mund të menaxhojnë para. Kjo qeveri nuk ia ka arritur dhe nuk e ka bërë këtë. Partia Demokratike në bashkëpunim me Partinë Kristian-Demokratike Gjermane dhe me Fondacionin Kondard Adenauer ka hartuar këtë program ekonomik. Ky program siguron një ekonomi të fortë dhe më shumë vende pune. Partia Kristian-Demokratike Gjermane së bashku me Angela Merkelin e vërtetojnë çdo ditë që ky program funksionon dhe çdo ditë krijohen vende të reja pune. Prandaj ju them që ky program funksionon ndaj na besoni ne dhe i besoni Lulzim Bashës. Shkoni votoni me 25 Qershor. Ju thoni të gjithë miqve dhe të njohurve tuaj të shkojnë të votojnë. Votoni për ndryshimin e qeverisë dhe do hyni më shpejt në Europë”, tha Falenski./Telegrafi/